Autorizim për të udhëtuar drejt BE, PE miraton rezolutën për sistemin që hyn në fuqi në 2021

Prej vitit 2021, shqiptarëve dhe qytetarëve të shteteve që lëvizin pa viza në zonën Shengen do t’u duhet të marrin një autorizim për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Prej vitit 2021, shqiptarëve dhe qytetarëve të shteteve që lëvizin pa viza në zonën Shengen do t’u duhet të marrin një autorizim për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Parlamenti Europian miratoi të enjten projektin për krijimin e të ashtuquajturit Sistem të Autorizimit dhe Informimit për Udhëtimin Europian.

Për të marrë autorizimin, shqiptarët dhe shtetasit nga 60 vende të botës do të aplikojnë në internet. Krahas informacioneve mbi identitetin dhe dokumentet e udhëtimit, aplikantët duhet deklarojnë në formularin online nëse kanë qenë të dënuar për vepra penale në të kaluarën.

Bëhet fjalë për vepra si vrasje, vjedhje, përdhunime, trafikim të qenieve njerëzore, shfrytëzim seksual të fëmijëve, të kryera gjatë 10 viteve të fundit. Për kategorinë e akteve që lidhen me terrorizmin si dhe qëndrimet për periudha të caktuara në zona konflikti, aplikantëve do t’u kërkohet të japin informacione për 20 vitet e fundit.

Ndaj personave me rekorde kriminale do të ketë kontrolle të imtësishme. Në varësi të rrezikshmërisë që paraqesin, atyre mund t’u ndalohet hyrja në zonën Schengen për afate të caktuara. Aplikimi online do të kushtojë 7 euro dhe do t’u paraqitet autoriteteve kufitare në hapësirën Schengen.

Synimi  rezolutës së prezantuar nga Partia Popullore Europiane është rritja e nivelit të sigurisë në hapësirën Schengen përballë personave të rrezikshëm por edhe një menaxhim më i mirë i hyrje – daljeve për personat që shkelin afatet e qëndrimin në hapësirën e lëvizjes së lirë europiane. Rezoluta u miratua me 494 vota pro, 115 kundër dhe 30 abstenime.