Australi, nuk rreshtin vrasjet masive brenda familjes

Një person në Perth të Australisë perëndimore është akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, tri fëmijëve të mitur dhe gjyshes së tyre, brenda në një shtëpi.

Një person në Perth të Australisë perëndimore është akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, tri fëmijëve të mitur dhe gjyshes së tyre, brenda në një shtëpi.

Trupat e pajetë të 41-vjeçares Mara Lee Harvey, binjakëve dyvjeçarë Alice dhe Beatrix, të 3-vjeçares Charlotte dhe 73-vjeçares Beverley Quinn u zbuluan nga policia në Perth gjatë kësaj të hëne.

Vdekjet, atyre iu janë shkaktuar nga “një mjet prehës dhe thika”, sipas policisë, një oficer i së cilës tha se besonte që Harvey dhe fëmijët e saj kishin ndërruar jetë brenda shtëpisë në periferinë Bedford që prej 3 shtatorit. Ndërkohë, e moshuara Quinn është vrarë pasi kishte shkuar në shtëpi ditën pasardhëse.

Policia dyshon se vrasësi kishte qëndruar i mbyllur në shtëpi “për disa ditë”, përpara se të dorëzohej në komisariatin e policisë në Pannawonica, rreth 1.430 km në veri të Perthit, të dielën. Motivi i vrasjeve makabër nuk dihet, ndërsa policia nuk jep detaje të mëtejshme, shkruan Top Channel.

Ky është rasti i tretë i vrasjeve masive në Australinë perëndimore gjatë këtij viti. Në korrik, një 19-vjeçar u akuzua për vrasjen e dy fëmijëve dhe nënës së tyre në një tjetër periferi të Perthit, Ellenbrook. Dy muaj përpara kësaj të fundit, 7 persona u gjetën të vdekur në një pronë private në zonën rurale të Osmingtonit, 280 km në jug të Perthit, duke shënuar edhe vrasjen masive më të rëndë që prej vitit 1996.