Australi, bëhen të ditur emrat e kabinetit të ri qeveritar

Kabinetin e ri qeveritar e bëri të ditur kryeministri i Australisë, Scott Morrison në Canberra

 Kryeministri i Australisë, Scott Morrison në Canberra ka bërë të ditur anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në përputhje me këtë, Josh Frydenberg u emërua Ministër i Thesarit, kurse kreu i Partisë Kombëtare Michael McCormack u emërua në postin e ministrit të Infrastrukturës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal.

Ministri i Brendshëm Peter Dutton u riemërua në këtë pozicion, ndërsa ministri i Migracionit dhe Mbrojtjes së Kufirit u emërua David Coleman.

Marise Payne, e cila nga viti 2015 ka ushtruar detyrën e ministres së Mbrojtjes, u emërua ministre e Punëve të Jashtme duke e zëvendësuar Julie Bishop.

Në vend të Payne, ministër i Mbrojtjes u emërua ish-ministri i Industrisë së Mbrojtjes, Christopher Pyne. Në këtë pozicion tani është emëruar ish-ministri i Tregtisë, Steve Ciobo.

Dështimet në drejtimin e koalicionit mes Partisë Liberale dhe Partisë Kombëtare, pranimi i emigrantëve, politikat energjetike dhe një numër çështjesh të tjera, çuan në dorëheqjen e kryeministrit të Australisë, Malcolm Turnbull.

Në garën për postin e kryeministrit të 30-të të Australisë ishin ish-ministri i Brendshëm, Peter Dutton dhe ministri i Thesarit Scott Morrison.