Arrestohet nacionalisti maqedonas

Akuzohet se kërcënoi Kryeministrin Zoran Zaev...

Policia e Tetovës ka arrestuar, Zharko Grozdanovskin, “liderin” e organizatës “Vëllazëria e krishterë”, i cili përmes rrjetit social “Facebook” kërcënoi publikisht me jetë Kryeministrin Zoran Zaev.

“Në asnjë rast mos luani me “Vëllazërinë e krishterë”. Ju them dhe i qëndroj fjalës së thënë. Zaev, dy herë të kisha në dorë, dy herë me qëllim të lëshova. Mos mi prek vëllezërit e mi të fesë…”

Për shkak të këtij prononcimi përmes rrjeteve sociale, SPB-Tetovë ka arrestuar liderin e organizatës ‘Vëllazëria e krishterë”, Zharko Grozdanovskin, për shkak se ka kërcënuar Kryeministrin Zaev dhe anëtarë tjerë të qeverisë – ka njoftuar MPB-ja.

“Më 28.03.2019 në orën 19.50 në Tetovë është arrestuar 46-vjeçari ZH.G nga fshati Bërvenicë i cili rreth orës 15:00 në rrjetet sociale publikoi një video me përmbajtje kërcënuese. Pas zbardhjes së plotë të rastit, kundër tij do të dorëzohet padi.”

Siç thuhet në videon e postuar, arsyeja për këto kërcënime është arrestimi i njërit prej anëtarëve të kësaj organizate, Toni Mitrevski – Severot, për shkak se ka sulmuar personin zyrtar në detyrë zyrtare, i cili, sipas Grozdanovskit, vetëm ka mbrojtur Kushtetutën, shkruan Klan.

Në këtë video Organizata qytetare CIVIL ka konstatuar gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime për jetën e Kryeministrit Zaev, por edhe ndaj përfaqësuesve të tjerë të paemëruar të pushtetit dhe të gjithë liderët politikë.

Mbetet e hapur çështja, nëse në DSK me të vërtetë kanë pasur njohuri për planet e likuidimit të Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderëve tjerë politikë. Përpos se duhet të pritet epilog polico-juridik për këtë rast, institucionet duhet t`i përgjigjen edhe pyetjes se sa janë serioze këto kërcënime dhe përse deri më tani nuk janë marrë masa përkatëse të sigurisë.”

“Vëllazëria e Krishterë” është një nga organizatat e afërta me grupacionet radikale që protestuan kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Ligjit të Gjuhëve, kurse një pjesë e tyre janë edhe anëtarë të partive të bllokut të djathtë që udhëhiqnin protestat që kulmuan me sulmin në Kuvend më 27 Prill të vitit 2017.