Ardi Veliu inspekton nga afër Portin e Durrësit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka qenë mëngjesin e sotëm për inspektim në portin e Durrësit, ku vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka qenë mëngjesin e sotëm për inspektim në portin e Durrësit, ku vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete, raporton Top Channel.

Njëkohësisht Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar rezultatet e arritura, ku gjatë muajit korrik janë kapur 10 persona në kërkim, si dhe janë evidentuar dhe goditur 37 raste të paligjshmërisë, nga të cilat:

“Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” – 5 raste
“Falsifikimi i letrave me vlerë” – 12 raste.
“Falsifikim i pasaportave, letërnjoftimeve, vizave” – 4 raste
“Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” – 12 raste.
“Trafikimi mjeteve motorike” – 3 raste.
“Braktisja e fëmijës së mitur” – 1 rast.
“Dhënia e ndihmës për kalim paligjshëm të kufirit shtetëror” – 1 rast.

Veliu ka kërkuar kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Schengen, me qëllim parandalimin e atyre personave që kanë për qëllim lëvizjen në vendet e BE-së për të kërkuar azil. Ai theksoi se është prioritet kryesor i Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të parandaluar këtë fenomen.