“Arabia Saudite u paguan dëmshpërblim fëmijëve të Khashoggit”

"The Washington Post" shkruan se fëmijët e Khashoggit të vrarë marrin nga të paktën 10.000 dollarë amerikanë në muaj të cilat bashkë me vilat u miratuan vitin e kaluar nga mbreti Salman bin Abdelaziz

E përditshmja amerikane “The WashingtonPost” ka publikuar një artikull në të cilin shkruan se Qeveria e Arabisë Saudite u paguan dëmshpërblim fëmijëve të gazetarit Jamal Khashoggi, duke kompensuar për vrasjen e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në tekstin e botuar, shkruan se të 5 fëmijët e Khashoggit tashmë kanë marë nga një vilë në Rijad, secila në vlerë prej 4 milionë dollarë ndërkohë që në bazë mujore marrin edhe kompensim financiar.

Gazeta amerikane thotë se Rijadi zyrtar po përpiqet të inkurajojë dy nga djemtë e Khashoggit dhe njërën nga vajzat e tij të mos flasin për vrasjen e babait të tyre.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar sauditë, “The Washington Post” shkruan se fëmijët e Khashoggit të vrarë marrin nga të paktën 10.000 dollarë amerikanë në muaj të cilat bashkë me vilat u miratuan vitin e kaluar nga mbreti Salman bin Abdelaziz.

Gazeta shkruan më tej se fëmijët e Khashoggit për zgjedhjen e heshtjes në lidhje me vrasjen e babait të tyre, mund të marrin nga autoritetet e Rijadit dhjetëra miliona dollarë.

E përditshmja amerikane citon zyrtarin saudit të ketë thënë se ndihma financiare për fëmijët e Khashoggit është pjesë e traditës saudite të solidaritetit duke hedhur poshtë akuzat për përpjekje “për të heshtur” të prekurit.

Khashoggi, kontribues i gazetës “The Washington Post”, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit të kaluar.

Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte kryer jashtë zinxhirit të komandës.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje dhe llogaridhënie më të plotë nga Rijadi.