Arabia Saudite planifikon për një vit ta shndërrojë Katarin në ishull

Arabia Saudite është duke punuar mbi një projekt të turizmit për të ndërtuar kanal në kufirin e vetëm tokësor me Katarin prej 60 kilometrash

Arabia Saudite së shpejti do të fillojë realizimin e projektit të planifikuar për “shndërrimin e Katarit në ishull”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas artikullit të gazetës saudite Mekke, nënsekretari mbretëror Suud el-Kahtani ka njoftuar se dita e fundit për dorëzimin e propozimeve për projektin e Kanalit Selva është e hëna e ardhshme.

Për zbatimin e këtij projekti janë marrë propozime prej 5 kompani ndërkombëtare, ndërsa kompania ose konsorciumi që do të fitojë tenderin do të njoftohet brenda 90 ditëve pas datës së fundit të dorëzimit të propozimeve.

Sipas gazetës projekti në fjalë do të përfundohet brenda 1 viti.

Kahtani në llogarinë e tij të Twitter-it shpërndau përsëri postimin me etiketën “Fillon gërmimi i Kanalit Selva”, ku kishte shkruar “Urime për popullin saudit për shkak të projektit të shkëlqyer që e transformon shtetin e Katarit në një ishull”.

Ai edhe më parë ka bërë postime të ngjashme.

Gazeta “Sabq” që bën publikime nga interneti në Arabinë Saudite, në lajmin në muajin prill pretendonte se Arabia Saudite është duke punuar mbi një projekt të turizmit për të ndërtuar kanal në kufirin e vetëm tokësor me Katarin prej 60 kilometrash.

Më tej ishte potencuar se pritet që projekti të miratohet nga autoritetet zyrtare, ndërsa do të realizohet nga një konsorcium prej nëntë investitorëve vendas me një kosto totale prej 2.8 miliardë rialë saudit (afro 750 milionë dollarë) brenda 12 muajve.

Më tutje në lajm është theksuar se në kuadër të projektit do të ndërtohet fshat turistik dhe 5 hotele të mëdha, si dhe 2 porte të reja.

Verën e kaluar, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kolektivisht ndërprenë lidhjet me Katarin, duke krijuar një nga krizat më të mëdha në marrëdhëniet ndër-arabe në historinë e kohës së fundit.