Arabia Saudite mposht Egjiptin, Salah i jep lamtumirën Botërorit

Egjipti dhe Arabia Saudite largohen nga Kupa e Botës me një fitore 2-1 të Arabisë pas golit të sekondave të fundit.

Egjipti dhe Arabia Saudite largohen nga Kupa e Botës me një fitore 2-1 të Arabisë pas golit të sekondave të fundit.

Skuadrat e kishin siguruar largimin sido që të ishte rezultati në fund të ndeshjes dhe dukej se një barazim do të kënaqte të dyja palët që deri në atë moment nuk kishin asnjë pikë, por goli i Dawsari-t i dha fitoren arabëve.

Mohamed Salah largohet me një tjetër gol nga ky kompeticion, dhe këtë herë me një perlë tipike. Pasi merr një top të gjatë nga mbrojtja, ylli i Liverpool sheh daljen e portierit dhe vendos të lëshojë një parabolë të përsosur me topin që përfundon në rrjetë.

Ndërkohë Arabia barazon rezultatin me një penallti në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë, pasi kishte humbur një penallti disa minuta më parë.

Në pjesën e dytë ndeshja ishte e barabartë, por në sekondat e fundit të ndeshjes arabët shënojnë golin e fitores.

Një tjetër fakt historik është paraqitja e portierit të Egjiptit, El Hadary, portieri më i vjetër që ka shkelur në një Kupë Bote. Në pjesën e parë ai madje ka pritur edhe një penallti.