Arabia Saudite do lejojë gratë të udhëtojnë pa kërkuar leje

Veprimi paraqet një hap drejt dhënies fund të diskriminimit ndaj grave...

Arabia Saudite do t’u lejojë grave më të moshuara se 21 vjet që të aplikojnë për pasaportë dhe të udhëtojnë jashtë vendit duke mos patur nevojë për të marrë leje nga kujdestari mashkull, njoftoi gazeta zyrtare e Mbretërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta nuk përmend burimin e informatës por në rrjetet sociale njoftoi se ndryshimet në rregullat e udhëtimit, ligjit të punës dhe ligjit të statusit civil do të jenë pjesë e botimit të ardhshëm.

Ligji i ri u jep fund kufizimeve që lidhen me traditën në mbretëri për t’u dhënë grave një kujdestar mashkull, në një hap drejt përfundimit të diskriminimit të grave.

Sistemi i kujdestarisë kërkonte nga gratë që të marrin leje nga një anëtar mashkull i familjes për të aplikuar për pasaportë ose të udhëtuar jashtë vendit.

Vitet e fundit, gratë saudite kanë kërkuar azil në vendet e tjera për të shpëtuar nga qeveria dhe nga familjet e tyre.

Vitin e kaluar, mbreti Salman bin Abdulaziz shpalli një dekret duke lejuar gratë që për herë të parë në historinë e Mbretërisë të drejtojnë automjetet dhe të marrin patentën e shoferit.