Aplikacioni i Facebook për fëmijët nën 13 vjeç nxit reagime të ashpra

Ligjet në fuqi thonë se përdoruesit duhet të kenë moshë të paktën 13 vjeç për të përdorur platformat e medias sociale.

Planet e rrjetit social Facebook për të lançuar një version të Instagram për fëmijët nën moshën 13 vjeç kanë hasur në rezistencë nga autoritetet Amerikane të cilat i kërkojnë kompanisë tashmë anulimin e tyre.

44 prokurorë të përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Facebook të rrëzojë planet për një Instagram dedikuar fëmijëve.

Ata nënshkruan një letër e cila i kërkonte CEO të Facebook Mark Zuckerberg të anulonte planet e një aplikacioni të tillë.

Arsyeja kryesore është siguria, privatësia dhe shëndeti mendor i fëmijëve. Kongresi Amerikan por edhe grupe për mbrojtjen e fëmijëve kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

Prokurorët e bëjnë të qartë se interesi i tyre është mbrojtja e fëmijëve dhe planet e Facebook i vënë ata në rrezik.

Ligjet në fuqi thonë se përdoruesit duhet të kenë moshë të paktën 13 vjeç për të përdorur platformat e medias sociale.

Disa rrjete sociale si TikTok janë gjobitur për këtë arsye sepse nuk kanë dhënë garanci për moshën minimale të përdoruesve.