“Anija e sulmuar pranë Nigerisë nuk është në pronësi turke”

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Boden, Levent Karsan, tha se anija u përkiste investitorëve të huaj dhe kompania e tij ishte përgjegjëse vetëm për menaxhimin teknik të anijes

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Boden, Levent Karsan, kompanisë pronare të anijes së mallrave e cila u sulmua nga piratët pranë Nigerisë, tha se anija nuk është as pronë turke e as me flamur turk, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Anija nuk është në pronësi turke ose me flamur turk”, tha Karsan në një konferencë për media në lidhje me pjesëtarët turq të ekuipazhit të cilët të shtunën u rrëmbyen nga piratët në Gjirin e Guinesë.

Pas sulmit, anija e mallrave Mozart me flamur liberian, me ekuipazh kryesisht turk , u ankorua dje në Port-Gentil të Gabonit.

Karsan tha se anija u përkiste investitorëve të huaj dhe kompania e tij ishte përgjegjëse vetëm për menaxhimin teknik të anijes.

“Anija është me flamur liberian. Menaxhimi i saj i përket një kompanie që ka zyra në Londër dhe Hamburg”, tha Karsan.

Ai shtoi se nuk ka marrë ndonjë lajm nëse piratët kanë kontaktuar ndonjë autoritet deri më tani.