Angli – Zyrtarët e lartë dënuan vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Kryeministrja e Anglisë, Theresa May dhe kabineti qeveritar dënuan ashpër vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Kryeministrja e Anglisë, Theresa May bëri të ditur se dënon ashpër vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Në fjalën e saj të mbajtur në Parlamentin britanik, Kryeministrja May tha se “Jam e bindur se të gjithë në Parlament na bashkëngjiten në ndëshkimin më të fortë të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Duhet të zbardhet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt bëri të ditur se pretendimet që Jamal Khashoggi ka vdekur gjatë rrahjes nuk janë bindëse.

Në fjalën e tij të mbajtur në Parlament gjatë seancës së posaçme në lidhje me vrasjen e gazetarit Khashoggi, ministri Hunt bëri të ditur se dënon në mënyrë më të ashpër vrasjen e gazetarit në fjalë dhe tha se “Përgjegjësit duhet të japin llogari”.

“Khashoggi është vrarë nga agjentët e një qeverie me të cilën ne kemi marrëdhënie të ngushta. Pretendimet se ai ka vdekur gjatë rrahjes nuk janë bindëse”, bëri të ditur Hunt.

Duke vënë në dukje se “Veprimet e Anglisë do të varen nga deklarata përfundimtare e zyrtarëve saudit dhe bindjes se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më”, shefi i diplomacisë angleze tha: “Kush ka urdhëruar 15 zyrtarë sauditë të shkojnë në Stamboll? Kur u informua udhëheqja e Riadit për vrasjen e Khashoggit? Pse u vonua hyrja e hetuesve në konsullatë? Çfarë ndodhi me kufomën e Khashoggit? Pse Arabia Saudite priti 17 ditë për të deklaruar se ai ka vdekur?”

Hunt gjithashtu shtoi se Anglia dhe Arabia Saudite kanë marrëdhënie të forta tregtare dhe në fushën e mbrotjes, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Për këtë arsye Anglia do të jetë e kujdesshme në qasje ndaj kësaj çështjeje. Por, në qoftë se lajmet e tmerrshme dalin të vërteta, atëherë kjo do të jetë në kundërshtim me vlerat tona dhe ne do të veprojmë sipas kësaj”.

Ndërkaq Sekretarja e Jashtme e Partisë Laburiste, që është partia më të madhe opozitare në Angli, Emily Thornberry përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggi e mbajti Princin e kurorës, Muhammed Bin Selman.

“Ana më e keqe e kësaj vrasjeje është ajo që asnjëri prej nesh nuk u befasua nga ajo”, bëri të ditur Thornberry, ndërsa shtoi se “Princi i kurorës, Muhammed Bin Selman, i cili pas shpalljes së tij si princi trashëgimtar njihet si arkitekti i politikave ndaj Jemenit, i rritjes së numrit të ekzekutimeve, të dënimeve kapitale në vend, rrëmbimit të Kryeministrit të Libanit, Saad Hariri dhe detyrimit të tij të japë dorëheqje (vitin e kaluar) si dhe me burgimin e aktivisteve dhe kërcënimin e tyre me vdekje, kanë dhënë sinjale për atë që ndodhi sot”.

Ndërsa deputeti i Partisë Kombëtare të Skocisë, Ian Blackford tha se “Ka ardhur koha që Anglia të vihet në veprim ndaj Arabisë Saudite. Kryeministre, ndaloje shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite, këtë bëje sot”.

Gazetari i “Washington Post”, Jamal Khashoggi ishte zhdukur më 2 tetor pasi kishte hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Udhëheqja e Arabisë Saudite më 20 tetor deklaroi se Jamal Khashoggi ka vdekur si pasojë e rrahjes në godinën e konsullatës./trt