Angela Merkel: Deri në 70% epopullatës mund të preket nga koronavirusi

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se prioritet i qeverisë do të jetë ngadalësimi i përhapjes së virusit dhe për të fituar në kohë për zhvillimin e ilaçeve

Deri në 70 për qind e popullsisë së Gjermanisë mund të infektohet nga koronavirusi, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merkel nënvizoi se prioriteti i qeverisë së saj do të jetë marrja e masave për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të fituar kohë për vaksina kundër koronavirusit apo të studiojnë mundësi për trajtimin e të prekurve.

“Shumë ekspertë thonë se 60 deri në 70 për qind e popullsisë do të infektohen, pasi ne nuk kemi imunitet në popullatë kundër këtij virusi dhe deri më tani nuk ka mundësi të vaksinohet dhe nuk ka asnjë trajtim në dispozicion”, tha Merkel.

“Pra, para së gjithash, ka të bëjë me fitimin e kohës”, theksoi ajo, duke shtuar se ngadalësimi i përhapjes së virusit do të ofrojë më shumë kohë për institucionet mjekësore për zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave dhe do të sigurojë që sistemi shëndetësor i vendit të mos mbingarkohet.

Agjencia gjermane për kontrollin e sëmundjes Instituti Robert Koch (RKI) njoftoi se numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend është rritur në 1.296.

RKI nuk raportoi për raste të reja të vdekjes, duke e lënë numrin e vdekjeve të pandryshuar në dy.

Dy shtetet federale më të populluara të Gjermanisë, Bavaria dhe Rajna Veriore-Vestfalia, kanë vendosur tashmë të anulojnë ngjarjet me më shumë se 1.000 pjesëmarrës në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Koronavirusi i njohur zyrtarisht si Covid-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri global i vdekjeve nga Covid-19 deri më tani ka arritur në afro 4.300 me më shumë se 118.000 raste të konfirmuara.

Virusi është përhapur në gjashtë kontinente dhe në më shumë se 100 vende.