Aleksander Vuçiç: Serbia do të bashkëpunojë me anëtarët e Presidencës së BeH-së

"Serbia do të bashkëpunojë me Bosnje e Hercegovinën, me të gjithë anëtarët e Presidencës së BeH-së. Këta njerëz janë zgjedhur në përputhje me ligjet e këtij vendi dhe është detyra jonë të respektojmë ligjet e atij vendi"

Serbia do të bashkëpunojë në besimin më të mirë me të gjithë anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës(BeH) të zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).

“Serbia do të bashkëpunojë në besimin më të mirë me Bosnje e Hercegovinën, me të gjithë anëtarët e Presidencës së BeH-së. Këta njerëz janë zgjedhur në përputhje me ligjet e këtij vendi dhe është detyra jonë të respektojmë ligjet e atij vendi dhe vullnetin e qytetarëve të BeH-së”, tha Vuçiç para gazetarëve në Astana.

Sefik Gjaferoviç, u zgjodh anëtar i presidencës së BeH-së nga radhët e popullit boshnjak. Anëtar i Presidencës së BeH-së nga kroatët, u zgjodh Zhelko Komshiç nga Fronti Demokratik (DF), ndërsa për anëtar serb të Presidencës së BeH-së është zgjedhur Milorad Dodik nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (ASDP).

Duke komentuar zgjedhjet për anëtarët e Presidencës së BeH-së, Vuçiç tha se do të punojë me Dodik “me të cilin kemi bashkëpunim të mirë, racional dhe të suksesshëm”, si dhe me Komshiç dhe Gjaferoviç dhe se ai beson se bashkëpunimi do të jetë i suksesshëm.

“Ky është interes i Serbisë, se a do të jetë gjithnjë e lehtë dhe e thjeshtë, jam i sigurt se jo, por obligimi i Serbisë është gjithmonë që të bëjë përpjekje shtesë, energji shtesë dhe besim shtesë në këto marrëdhënie dhe të përpiqet t’i bëjë këto marrëdhënie më mirë se çfarë ishin”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se nuk di për rezultate tjera dhe se kush me kë do të përfundojë në koalicion, por se kjo është çështje e brendshme e BeH-së.