Aktivistë nga 100 vende thirrje për lirimin e grave dhe fëmijëve nga burgjet siriane

Që nga marsi i vitit 2011 kur filloi lufta në Siri, jetën e kanë humbur mbi 450 mijë njerëz, më shumë se kaq ka të zhdukur dhe të plagosur ndërsa 11 milionë njerëz kanë lëshuar shtëpitë e tyre

 Aktivistë dhe organizata joqeveritare nga më shumë se 100 vende u kanë bërë thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe krerëve shtetërorë që të bëjnë përpjekje për lirimin e grave dhe fëmijëve nga burgjet siriane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duam që gratë dhe fëmijët në Siri të lirohen pa kushte dhe pa kurrfarë negociatash”, tha Gulden Sonmez, zëvendëskryetare e Lëvizjes për Drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut (IHAK) në deklaratën e përbashkët të aktivistëve dhe organizatave joqeveritare nga 105 vende.

Ata u bënë thirrje mekanizmave ndërkombëtare, në radhë të parë Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizatën e Bashkëpunit Islam (OBI) dhe udhëheqësit e të gjitha vendeve, kryesisht Turqisë, Rusisë dhe Iranit të vazhdojë përpjekjet e tyre sa i përket lirimit të grave dhe fëmijëve.

Deklarata e përbashkët, e cila ishte shkruar në gjuhën arabe, angleze dhe turke, e lexoi Sonmez, duke theksuar se në gjendje lufte duhet të respektohen normat njerëzore dhe ligjore.

Ajo gjithashtu përmendi faktin se në dy luftërat botërore jetën e kanë humbur miliona njerëz dhe se ishin kryer krime të panumërta të luftës.

Që diçka e tillë të mos përsëritet, Sonmez tha se janë bërë lutje nga çdo shtëpi, rrugë, xhami, kishë dhe sinagogë në botë. Ajo rikujtoi se janë themeluar Kombet e Bashkuara, janë nënshkruar disa marrëveshje dhe dokumente për të drejtat ndërkombëtare të njeriut, por luftërat nuk kanë përfunduar, as vuajtjet e njerëzve.

Sonmez tha se që nga marsi i vitit 2011 kur filloi lufta në Siri, jetën e kanë humbur mbi 450 mijë njerëz, më shumë se kaq ka të zhdukur dhe të plagosur ndërsa 11 milionë njerëz kanë lëshuar shtëpitë e tyre për të kërkuar strehim brenda dhe jashtë vendit.

Deklarata e përbashkët gjithashtu potencon se dhjetëra mijëra njerëz u burgosën në burgje ose objekte që shërbenin për të njëjtin qëllim. Për fat të keq, tha Sonmez, nuk qe e mundur që të mbrohen civilët në këtë situatë në Siri.

Sipas të dhënave të disa organizatave, thuhet në deklaratë, të cilën e lexoi Sonmez, deri më tani janë mbyllur më shumë se 13.500 gra. Më shumë se 7.000 janë ende në burgje. Forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad “përdorin përdhunimin si armë kundër grave”.

Nuk dihet se sa civilë janë mbyllur në fabrika jo funksionale, hangarë dhe ndërtesa të ngjashme. Disa gra u burgosen derisa ishin shtatzënë dhe lindin në robëri.

Sonmez rikujtoi edhe autokolonën ndërkombëtare të ndërgjegjes, e cila vitin e kaluar për 8 mars – Ditën e Gruas u nis nga një grup i grave për të tërhequr vëmendjen e opinionit botëror për problemin e grave në regjimin sirian të Bashar al-Assadit. Vitin e kaluar, në Hatay erdhi një konvoj me rreth 200 autobusë me gra nga 55 vende.

“Të gjithë e dimë se paqja është më e mira për të gjithë njerëzit, por ndërtimi i paqes nuk është i lehtë si lufta. Ne themi se lufta duhet të ketë ligjin e moralit, prandaj jemi mbledhur nga e gjithë bota”, tha Sonmez.

Çdo pjesëmarrës i Lëvizjes së Ndërgjegjes do të përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin mbi këtë temë përmes aktiviteteve të të tyre, siç janë fushatat, konferencat dhe rrjetet sociale.