Akar dhe Dunford biseduan për luftën kundër organizatave terroriste

Në një njoftim nga Ministria turke e Mbrojtjes theksohet se gjatë takimit Turqia ka ftuar SHBA-të të zbatojnë planin për Munbixhin në Siri dhe sa më parë të largojnë organizatën terroriste PKK/PYD nga kjo zonë

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, priti në Ankara shefin e Shtabit të ushtrisë amerikane, Joseph Dunford dhe gjatë takimit u diskutua edhe për luftën kundër organizatave terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria turke e Mbrojtjes theksohet se gjatë takimit Turqia ka ftuar SHBA-të të zbatojnë planin për Munbixhin në Siri dhe sa më parë të largojnë organizatën terroriste PKK/PYD nga kjo zonë.

Gjatë takimit, në të cilin mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke, Yaşar Güler, u diskutua edhe kthimi i armëve nga terroristët e PKK/PYD-së dhe lufta kundër organizatave terroriste, duke përfshirë DEASH-in.

Akar përsëriti se Turqia është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar kufijtë e saj, si dhe stabilitetin rajonal.

Ai gjithashtu tha se forcat e armatosura turke luftojnë kundër grupit terrorist PKK/PYD/YPG dhe DEASH, dhe jo kundër, siç tha, vëllezërve kurdë në rajon.

Ai shtoi se Turqia gjithmonë ka respektuar integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut.

Në qershor të vitit të kaluar, SHBA dhe Turqia arritën marrëveshje mbi udhërrëfyesin për Munbixh. Sipas marrëveshjes, forcat turke dhe amerikane paralajmëruan patrulla të përbashkëta në rajon, duke eliminuar terroristët e YPG/PKK, kurse pushtetin lokal nga terroristët do të marrë përsipër popullsia lokale.

Fillimisht u njoftua se marrëveshja do të zbatohej për një periudhë prej 90 ditësh, por kjo nuk ndodhi. Terroristët e YPG/PKK-së vazhdojnë të mbajnë qytetin nën pushtim.