Afganistani krijon korridor ajror për tregti me Kinën

Ghani tha se arrat e pishës dhe fëstëkat në veçanti janë pasuri kombëtare e vendit dhe duhet të eksportohen në botë nën markën "thesaret afgane"

Afganistani ka krijuar një korridor ajror për tregtinë e drejtpërdrejtë me Kinën, e cila do të mundësojë eksportin e rreth 23 mijë ton metrikë arra të pishës me vlerë prej 800 milionë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Afganistanit, Mohammad Ashraf Ghani, ishte i rrethuar nga zyrtarë të tjerë të lartë dhe diplomatë kinezë teksa dërgesa e parë e eksportit të lidhur me Shangain u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kabulit “Hamid Karzai”.

Ghani tha se arrat e pishës dhe fëstëkat në veçanti janë pasuri kombëtare e vendit dhe duhet të eksportohen në botë nën markën “thesaret afgane”. Ai u ankua për faktin se këto produkte u eksportuan në mbarë botën nëpërmjet vendeve fqinje përmes etiketave të tyre për dekada të tëra.

Sipas Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Afganistanit, vendi prodhon deri në 20 mijë ton arra të pishës për çdo vit si dhe shprehu shpresën se eksportet vetëm në Kinë do të shkonin deri në 800 milionë dollarë në vit.

Afganistani pa dalje në det në dy vitet e fundit ka krijuar korridore ajrore për tregtinë me Turqinë, Kirgistanin, Indinë dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite. Më shumë rrugë të tilla janë në shqyrtim. Fruta të freskëta, fruta të thata, bimë medicinale, qilima dhe asafoetida kanë qenë eksportet kryesore në këto rrugë.

Zyrtarët afganë u zotuan se do të krijojnë korridore ajrore të ngjashme poashtu edhe me Pekinin dhe Quanzhoun.