Afati i punimeve të anijes Oruç Reis në Mesdheun Lindor zgjatet deri më 1 shtator

Më parë për zonën në fjalë ishte njoftuar se punimet do të vazhdoheshin deri më 27 gusht, ndërsa me njoftimin e ri afati i punimeve është shtyrë edhe për 4 ditë

Një Navtex (njoftim për detarë) i ri i cili do të vazhdojë deri më 1 shtator, është shpallur për zonën ku anija turke Oruç Reis do të kryejë punime sizmike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më parë për zonën në fjalë ishte njoftuar se punimet do të vazhdoheshin deri më 27 gusht, ndërsa me njoftimin e ri afati i punimeve është shtyrë edhe për 4 ditë.

Sipas kësaj anija për kërkime sizmike Oruç Reis, bashkë me anijet Ataman dhe Cengiz Han do të kryejnë së bashku punimet sizmike në zonat e shpallura më parë në brigjet e Qipros në Mesdheun Lindor.

Anija kërkimore sizmike Oruç Reis mund të kryejë të gjitha llojet e kërkimeve gjeologjike, gjeofizike, hidrografike dhe oqeanografike, veçanërisht për kërkimet e shelfeve kontinentale dhe burimeve natyrale.

Në anijen e cila është një nga anijet e rralla në botë e pajisur plotësisht dhe për shumë qëllime, mund të kryhen kërkime sizmike 2 dhe 3 dimensionale, kërkime të gravitetit, gjeofizike në mënyrë manjetike. Anija mund të kryejë operacione sizmike 3 dimensionale deri në 8 mijë metra dhe dy-dimensionale deri në një thellësi 15 mijë metra.