Aeroporti i Stambollit rekord fluturimesh

Më 31 tetor 2018, aeroporti filloi të funksionojë me pesë fluturime në ditë, ndërkohë që më 26 prill aeroporti regjistroi 607 ulje dhe 614 ngritje, ndërsa 201.031 pasagjerë e shfrytëzuan atë për udhëtime

Aeroporti i Stambollit ka thyer rekordin e fluturimeve më 26 dhe 28 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aeroporti i ri ka rritur në vazhdimësi numrin e pasagjerëve dhe fluturimeve që nga hapja me 29 tetor të vitit të kaluar, ndërsa më 26 dhe 28 prill përjetoi dy ditët më të ngjeshura me nga 1.221 fluturime.

Më 31 tetor 2018, aeroporti filloi të funksionojë me pesë fluturime në ditë, ndërkohë që më 26 prill aeroporti regjistroi 607 ulje dhe 614 ngritje, ndërsa 201.031 pasagjerë e shfrytëzuan atë për udhëtime, përfshirë fluturimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Ndërkaq, më 28 prill, 606 avionë zbritën në Aeroportin e Stambollit, kurse 615 u ngritën. Gjatë këtyre fluturimeve, gjithsej 201.952 pasagjerë përdorën aeroportin e ri.

Për ditën e sotme, aerporti ka planifikuar të regjistrojë 1.228 fluturime, përfshirë 615 ulje dhe 613 ngritje.

Faza e parë e Aeroportit të Stambollit me një kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh u hap zyrtarisht në tetor të vitit të kaluar.

Me një kapacitet të plotë vjetor prej 200 milionë pasagjerësh, me përfundimin e të gjitha katër fazave me gjashtë pista deri në vitin 2028, Aeroporti i Stambollit pritet të bëhet një qendër globale e aviacionit me fluturime në mbi 350 destinacione anembanë botës.