Abbas takim me Princin William: Të përkushtuar për marrëveshje paqeje me Izraelin

Princi William është përfaqësuesi i parë i familjes mbretërore britanike që viziton Palestinën...

Presidenti palestinez Mahmud Abbas riafirmoi përkushtimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje me Izraelin përmes negociatave, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jam duke kërkuar krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara në vitin 1967, që do të ekzistojë bashkërisht me Izraelin në siguri dhe stabilitet”, tha Abbas gjatë takimit të tij me Princin William në qytetin perëndimor të Ramallahut.

“Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë. Ne duam paqe përmes negociatave”, tha ai.

Abbas theksoi shpresën se vizita e Princit William do të forcojë marrëdhëniet midis popullit palestinez dhe Britanisë.

“Shpresojmë që kjo nuk është vizita juaj e fundit dhe se do të na vizitoni përsëri kur populli palestinez të fitojë pavarësinë”, Abbas iu drejtua princit William, i cili mbërriti në Ramallah nga Kudsi më herët gjatë ditës.

Princi William, nga ana tjetër, tha se është i gëzuar për vizitën në Palestinë dhe që ka mësuar rreth kulturës së këtij vendi.

“Palestina dhe Britania kanë marrëdhënie të forta dhe ne kemi histori suksesi në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa shpresojmë t’i vazhdojmë këto marrëdhënie”, u shpreh ai.

Gjatë vizitës së tij në Ramallah, Princi William do të marrë pjesë në një veprimtari kulturore me valle tradicionale palestineze Dabkeh dhe do të shikojë një ndeshje futbolli. Ai gjithashtu është planifikuar të vizitojë kampin e refugjatëve Jalazoun në veri të Ramallahut.

Princi William është përfaqësuesi i parë i familjes mbretërore britanike që viziton Izraelin dhe territorin palestinez. Ai filloi turneun e tij në rajon duke vizituar Jordanin dhe Izraelin për bisedime me zyrtarë në të dy vendet.