AAC: Bëni analizë të detajuar mbi shkaqet, fund abuzimit për çmimet e biletave të avionave

Nisur nga kjo situatë, teksa nisi diskutimi mbi Kodin e ri Ajror, kreu i komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, kërkoi nga Autoriteti i Aviacionit Civil të ndërmarrë këtë proces, për të parë më pas mundësitë e rishikimit të çmimeve.

Pavarësisht se shqetësimi mbi çmimin e lartë të biletave të transportit ajror është ngritur shpesh, asnjëherë nuk është kryer një analizë e detajuar mbi shkaqet e kësaj situate. Nisur nga kjo situatë, teksa nisi diskutimi mbi Kodin e ri Ajror, kreu i komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, kërkoi nga Autoriteti i Aviacionit Civil të ndërmarrë këtë proces, për të parë më pas mundësitë e rishikimit të çmimeve.

“Le që nuk ka ndodhur ndonjëherë, ka qenë një analizë e detajuar e përgjegjësive, një krahasim adekuat i çmimeve të biletave. Na duhet t’i kërkojmë Autoritetit të Aviacionit Civil, autoriteteve përkatëse, një analizë krahasimore të biletave në rajon. E dyta, komponentët e çmimit të biletës dhe ku ndryshojnë tarifat e këtyre komponentëve për vendet e rajonit. Edhe fakti që ne do të kemi shumë shpejt dy aeroporte kemi lançimin e aeroportit të Vlorës, kemi dhe vënien e aeroportit të Kukësit në përdorim, do jetë konkurrenca ajo që do të ulë çmimet, do të jetë heqja e monopolit, apo do të jetë ndërhyrja jonë tek disa komponentë të shtrenjtë brenda çmimit të biletës”, tha Shalsi.

Kërkesa erdhi pas prezantimit të dokumentit të ri nga kreu i Aviacionit Civil, Krislen Keri i cili po shpjegonte një mekanizëm të ri për të mbrojtur kompanitë nga konkurrenca e pandershme nga ato kompani që aplikojnë çmime më të ulëta për udhëtarët. Por, kjo hasi në kundërshtimet e deputetëve, të cilët theksuan se problem janë çmimet e larta dhe jo ato të ulëta.

“Në rast se konstatohet dhe ka indicie që në një linjë të caktuar, një kompani e caktuar është duke përdorur çmime përkohësisht të ulëta në mënyrë që të eliminojë konkurrencën tjetër, atëherë kjo është një praktikë që bie nën subjektin e pikës katër”, u shpreh Keri.

Deputeti Dritan Bici reagoi duke thënë se: “Popullit shqiptar po i nxihet jeta nga biletat e avionëve dhe unë për vete jam për ta denoncuar këtë lloj veprimtarie që shqiptarët po persekutohen nga aeroporti civil i Rinasit. Jam për të mbajtur një qëndrim si komision, nëqoftëse është bërë një koncesion i gabuar, ne ta denoncojmë dhe të fillojnë hetimet për atë koncesion të gabuar që mund të jetë bërë, por jo populli shqiptar të vazhdojë të vuajë”.

Në përfundim të mbledhjes Shalsi e cilësoi Autoritetin e Aviacionit Civil si një nga institucionet më të politizuar, duke kërkuar marrjen fund të punësimeve partiake dhe duke e çliruar nga punonjësit e paaaftë dhe jo specialistë të fushës.

SCAN