Turqia ka shkurtuar në dhjetë ditë kërkesën për karantinë për personat që kanë kontaktuar me një rast të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, Ministria e Shëndetësisë e Turqisë njoftoi udhëzime të reja kundër pandemisë COVID-19 në bazë të hulumtimit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Qendrat Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), të cilat, siç tha ministria turke, po i ndjek nga afër.
“Personat që kanë patur kontakt të ngushtë qëndrojnë në karantinë dhjetë ditë. Personat në karantinë që nuk kanë asnjë simptomë gjatë periudhës së karantinës përfundon në fund të ditës së dhjetë, pa kryer test PCR, por këta njerëz do të vazhdojnë të marrin masat e nevojshme paraprake në hapësirat publike”, thuhet në dokumentin e përditësuar.
Më parë, kërkesa për karatinë për personat që kishin kontaktuar ndonjë rast me COVID-19 ishte 14 ditë.
Ministria turke shtoi se në rast se testi i personit që ka kontaktuar ndonjë rast me COVID-19 rezulton negativ, ai është i obliguar të qëndrojë në karantinë shtatë ditë.
Në asnjë rrethanë karatina për personat që kontaktojnë ndonjë rast me COVID-19 nuk mund të përfundojë para shtatë ditëve, njoftoi ministria, duke shtuar se njerëzit që punojnë mund të kthehen në punë ditën e tetë.