Turqia mbështet marrëveshjen e Sinxharit në Irak

Ankaraja po ndjek zhvillimet nga afër, tha Ministria turke e Mbrojtjes në lidhje me marrëveshjen e 9 tetorit që parasheh pastrimin e rajonit nga terroristët e PKK-së

Turqia mbështet marrëveshje e fundit në rajonin verior të Sinxharit në Irak të nënshkruar midis qeverisë qendrore në Bagdad dhe Qeverisë Rajonale Kurde, deklaroi Ministria turke e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë javore për shtyp, zëdhënësja Nadide Şebnem Aktop tha se Ankaraja po ndjek zhvillimet nga afër pasi marrëveshja u firmos më 9 tetor për “rivendosjen e rendit dhe stabilitetit publik në Sinxhar”.

Forcat e sigurimit të Irakut filluan të zbatojnë një plan vendosjeje më 1 dhjetor në qendër të rrethit Sinxhar në një përpjekje për të rritur stabilitetin dhe sigurinë në zonë dhe për të mundësuar që vendasit e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Marrëveshja e Sinxharit, e nënshkruar nën kujdesin e OKB-së për statusin e rajonit, parashikon pastrimin e rajonit nga terroristët e PKK-së.

Organizata terroriste PKK arriti të vendosej në Sinxhar në vitin 2014 me pretekstin e mbrojtjes së komunitetit Jazidi nga terroristët e DEASH-it.

Rreth 450.000 pjesëtarë të këtij komuniteti u larguan nga Sinxhari pasi DEASH-i mori kontrollin e rajonit.

Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.