Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut, pa ndonjë ndryshim të vendeve nga rezultatet preliminare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rezultatet i ka kumtuar nëpërmjet një komunikate për media sot në mëngjes kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, përfshirë shifrat e pjesëmarrjes në këto zgjedhje.
Rezultatet përfundimtare nuk kanë ndryshuar pozitën e fituesve të këtyre zgjedhjeve, ku në Komunën e Podujevës ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Shpejtim Bulliqi ndërsa në Mitrovicë të Veriut kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq.
Sa i përket rezultateve në Komunën e Podujevës; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin Naim Fetahu ka marrë 4.341 vota apo 12.3 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidatin Nexhmi Rudari ka marrë 12.627 vota apo 35.8 për qind. Dhe, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me kandidatin Shpejtim Bulliqi ka marrë 18.286 vota apo 51.9 për qind.
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut: Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Erden Atiq ka 351 vota apo 4 për qind. Kandidati i pavarur Dushan Milunoviq ka 256 vota apo 2.9 për qind. Lista Serbe me kandidatin Milan Radojeviq ka marrë 7.916 vota apo 89.5 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin Florent Azemi ka 318 vota apo 3.6 për qind.
Sa i përket pjesëmarrjes, në Komunën e Podujevës numri i zgjedhësve të regjistruar ka qenë 87.805. Numri i atyre që kanë votuar ka qenë 34 mijë e 873 votues. Ata të cilët kanë votuar me kusht ose me postë kanë qenë 919. Ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme në të gjitha vendvotimet ka qenë 40.76 për qind.
Në Mitrovicë të Veriut, numri i zgjedhësve të regjistruar ka qenë 23.316 votues. Numri i atyre që kanë votuar në secilin vendvotim ka qenë 8.874 votues. Ata që kanë votuar me kusht dhe me postë kanë qenë 172 votues ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme në të gjitha vendvotimet ka qenë 38.8 për qind.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna janë mbajtur pasi ish-kryetarët e tyre, Agim Veliu dhe Goran Rakiç u emëruan në pozita të larta në Qeverinë e Kosovës ndërsa zgjedhjet ishin shtyrë për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19).