Kryeministri i ri i Etiopisë, Abiy Ahmed, është bërë kryeministri i parë i vendit që ka vizituar Eritrenë, duke lënë pas vetes situatën “as luftë as paqe”, e cila tashmë për mbi dy dekada karakterizon marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ahmed mbërriti të dielën në kryeqytetin e Eritresë, Asmara, ku do të marrë pjesë në negociatat historike për paqe.
Nisma e këtillë është fryt i një vizite të një delegacioni të lartë të Eritresë në Etiopi muajin e kaluar, në të cilin ishte edhe Yemane Gebreab, këshilltar special i presidentit Issaias Afeworki, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Usman Salah.
“Kjo vizitë është pjesë e përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet me Eritrenë. Kryeministri pritet të flas me lidershipin e Eritresë për të mbyllur çështjet e hapura”, tha për AA, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Etiopisë, Meles Alem.
Në maj të këtij viti, Etiopia njoftoi se do të zbatojë marrëveshjen e Algjerit nga dhjetori i vitit 2000, bashkë me vendimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit.
Marrëveshja e Algjerit erdhi pasi paraprakisht dy shtetet fqinje zhvilluan një luftë të përgjakshme në periudhën 1998-2000, në të cilën humbën jetën mes 70.000-80.000 njerëz.