Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë ka bërë të ditur se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë transferuar për në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës më 4 dhe 5 nëntor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një komunikate për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka bërë publike edhe aktakuzën e konfirmuar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si dhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe janë kryer nga ana e anëtarëve të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave “që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.
“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, njofton ZPS.
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se presidenti në dorëheqje Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Rexhep Selimi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se informacionet për datën dhe orarin e paraqitjeve para gjykatësit të procedurës paraprake të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të jepen me kohë. Ndërkaq, paraqitjet e para, sipas ZPS-së, mbahen në seancë publike dhe mund të përcillen përmes transmetimit në internet në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020, në pajtim me rregullin 88 (2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, por aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment.
Presidenti Thaçi sot dha dorëheqje nga posti i tij pas njoftimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara, për, siç tha ai, “të mbrojtur integritetin e Presidencës të Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”.