Turqia rivendos kufizime për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19

Erdoğan tha se floktarët, sallat e dasmave, pishinat, fushat sportive, tetrot, kinematë, sallat e koncerteve dhe vende të ngjashme do të mbyllen në orën 10 në mbrëmje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka njoftuar masat që do të rivendosen për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), me disa vende publike që do të mbyllen më herët, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas mbledhjes së kabinetit në kompleksin presidencial, Erdoğan tha se floktarët, sallat e dasmave, pishinat, fushat sportive, teatrot, kinematë, sallat e koncerteve dhe vende të tjera të ngjashme do të mbyllen në orën 10 në mbrëmje.

Kufizimet po ashtu do të zbatohen për kafenetë dhe restorantet, megjithatë ata do të lejohen të ofrojnë shërbime “merr me vete” pas orës 10.

Në kuadër të masave që vijnë mes rritjes së numrit të infeksioneve me koronavirus në Turqi, presidenti turk tha se orar fleksibël i punës do të inkurajohet në sektorët privat dhe publik në të gjithë Turqinë.

Së fundmi, Turqia raportoi 2.343 raste të reja të diagnostikuara me COVID-19 dhe 79 viktima.

Mbajtja e maskës në Turqi është e obligueshme në të gjitha vendet publike dhe të hapura.