Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, presidenti Aleksandar Vuçiç, kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev, zhvilluan sot një takim përmes video-konferencës për të rinovuar iniciativën e bashkëpunimit rajonal të filluar vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se liderët ranë dakord që iniciativa për bashkëpunimin rajonal është plotësisht në përputhje me Procesin e Berlinit dhe një bazë e mirë për Samitin e Sofjes.
“Aktivitetet e iniciativës së bashkëpunimit rajonal u prolonguan për shkak të pandemisë COVID-19 dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ndërsa tre liderët ranë dakord që kriza nënvizoi nevojën për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik rajonal”, thuhet në kumtesën e dërguar nga qeveria.
Në kumtesë shtohet se gjatë video-konferencës, presidenti serb Vuçiç dhe kryeministrat Rama dhe Zaev theksuan se kjo iniciativë është plotësisht në përputhje me Procesin e Berlinit dhe se është një bazë e mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Sofje në nëntor si pjesë e Procesit të Berlinit, samit me të cilin këtë vit bashkëkryesojnë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
“Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord se është shumë e rëndësishme që të gjashtë vendet në Ballkanin Perëndimor të marrin pjesë në iniciativën e bashkëpunimit rajonal dhe në këtë drejtim sot zyrtarisht ftuan Kosovën t’i bashkohet nismës si rezultat i kornizës së vendosur në takimin e nivelit të lartë në Washington në shtator të këtij viti midis presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Abdullah Hoti”, thuhet në deklaratë.
Liderët gjithashtu ranë dakord për të formuar një grup pune të përhershëm të përfaqësuesve të të gjitha vendeve të iniciativës për të përshpejtuar zbatimin e aktiviteteve të rëna dakord brenda bashkëpunimit rajonal.
“Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrës në video-konferencën e sotme, ranë dakord që iniciativa e bashkëpunimit rajonal është një bazë e mirë për identifikimin e projekteve të përbashkëta të infrastrukturës për agjendën e zhvillimit të rajonit që mund të mbulohen nga Paketa e Investimeve Ekonomike të BE-së për Ballkani Perëndimor, të miratuar së fundmi nga Komisioni Evropian”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Në kumtesë thuhet se tre udhëheqësit theksuan shpresën se Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Herzegovina së shpejti do t’i bashkohen nismës, që do të çonte në një bashkëpunim më të mirë dhe më gjithëpërfshirës ekonomik midis të gjitha vendeve në rajon.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se udhëheqësit ranë dakord për hapjen e kufijve pa teste PCR duke filluar nga e hëna ndërsa ndërkohë, përpara takimit në Sofje, do të punohet për të thelluar bashkëpunimin në shëndetin publik dhe ndihmën e ndërsjellë.