Kosovë, qendrat tregtare dhe objektet hotelerike do të mbyllen nga 21 deri në ora 5

Masat e propozuara parashikojnë zvogëlimin e stafit në institucionet publike dhe private, ndërsa institucionet shëndetësore dhe të sigurisë duhet të punojnë me kapacitet të plotë

Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë në Kosovë ka vendosur të shtrëngojë masat mbrojtëse nga përhapja e infeksionit për shkak të numrit në rritje të njerëzve të infektuar me koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, në konferencë për shtyp tha se është vendosur që objektet hotelierike duhet të mbyllen nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit në dy javët e ardhshme, përveç shërbimeve të marrjes me vete. Të gjitha qendrat tregtare do të mbyllen nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit.

Masat e propozuara bashkërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës parashikojnë zvogëlimin e stafit në institucionet publike dhe private, ndërsa institucionet shëndetësore dhe të sigurisë duhet të punojnë me kapacitet të plotë.

“Të sëmurët kronikë dhe personat mbi moshën 60 përjashtohen nga shkuarja në punë dhe do të punojnë online nga shtëpia. Personat e moshuar mbi 65 vjeç lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre në mëngjes nga ora 6:00 deri në 10:00 të mëngjesit dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 19:00, përveç nëse kanë probleme shëndetësore dhe duhet të vizitojnë mjekun”, tha Zemaj.

Mësimi në universitetet publike dhe private do të zhvillohen online, kurse konviktet studentore dhe mensat do të punojnë vetëm me zbatimin e masave të mbrojtjes kundër COVID-19.

Ministri Zemaj tha se të gjithë ata që shkelin këto masa do të ndëshkohen. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë masat për të ndihmuar në stabilizimin e situatës epidemiologjike në vend.

Të premten u regjistrua numër rekord, ku 418 persona rezultuan pozitivë me koronavirus, nga 1.608 të testuar, ndërsa 4 pacientë vdiqën nga efektet e COVID-19.

Deri mëtani, 92.706 njerëz janë testuar, nga të cilët 19.328 kanë rezultuar pozitivë, me 678 vdekje. Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 15.434, ndërkaq, raste aktive janë 3.126.