Isli Hidi firmos sërish në Superligë

Kastrioti “blindon” portën, nënshkruan për një sezon me Hidin...

Në Kategorinë Superiore vijon bojkoti dhe sezoni i ri nuk dihet ende se kur do të startojë, por këtë periudhë ndërprerjeje e ka shfrytëzuar mjaft mirë Kastrioti, që ka arritur marrëveshjen me portierin tiranas Isli Hidi.

Klubi krutan ka arritur marrëveshjen me portierin 39-vjeçar javën e kaluar, ndërsa vetë Isli Hidi ka dalë në stërvitje pasditen e sotme nën urdhrat e trajnerit të Kastriotit, Ramadan Ndreu.

Isli Hidi u rikthye në Kategorinë Superiore në verën e 2018-ës dhe u aktivizua fillimisht me Teutën e më pas me Bylisin sezonin e kaluar, ku më tepër sesa për pritjet, do të mbahet mend për shënimin e 7 golave nga pika e penalltisë.

Me gardianin 39-vjeçar, i cili më herët ka veshur edhe fanellën e Kombëtares Shqiptare, Kastrioti “blindon” portën, pasi ka në përbërje edhe Bruno Pujën e ish trajnerin e Tiranës, Alessio Abibi, të cilët ofrojnë garanci për një sezon dinjitoz.