Bernard Challendes: Ekipi i Kosovës nuk është në situatën më të mirë të mundshme

"Me gjithë mungesat e lojtarëve në tri ndeshjet e ardhshme, do të bëjë të pamundurën që të ndërtojë një ekip sa më të mirë me lojtarët në dispozicion", tha trajneri i Kosovës, Challendes

Përzgjedhësi i ekipit kombëtar të futbollit në Kosovë, Bernard Challendes, ka mbajtur konferencë për media në prag të tri ndeshjeve të kombëtares A në futboll, kundër Maqedonisë së Veriut në “play-off” të Kampionatit Evropian dhe dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve: kundër Sllovenisë dhe Greqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përzgjedhësi zviceran i ekipit të Kosovës, Challendes tha se për tri ndeshjet e ardhshme ekipi kombëtar kosovar nuk gjendet në situatën më të mirë të mundshme, duke theksuar se kombëtarja ka disa probleme të natyrave të ndryshme.

“Kemi problem me disa lojtarë. Disa lojtarë janë të lënduar por kemi edhe problem me natyra të tjera siç është problem me Amir Rrahmanin por ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me FIFA-n, sepse në fund të fundit të drejtën për lirimin apo ndalimin e futbollistëve e ka FIFA. Nga kontakti i fundit që kam pasur, pesë minuta para kësaj konference situata duket më pozitive ndonëse Napoli (skuadra ku luan Rrahmani), ka vendosur t’i fusë në karantinë të gjithë anëtarët e ekipit të parë të Napolit përfshirë futbollistët dhe stafin e trajnerëve, mirëpo ky vendim nuk mund të konsiderohet assesi si final, sepse jemi duke bërë të pamundurën që Rrahmani t’i bashkohet ekipit”, tha Challendes.

Përpos Amir Rrahmanit, qendërmbrojtës njëherësh kapiten i ekipit, Challendes tha se me pesimizëm e sheh edhe rikuperimin nga lëndimi të Vedat Muriqit, i cili së fundi u transferua tek Lazio e Italisë.

“Për Vedat Muriqin ne duhet të presim deri të martën në mëngjes mënyrë që ai të përfundojë edhe disa teste që ka tek Lazio për të parë situatën e tij dhe atë se sa shpejtë mund të ketë progres në situatën e tij fizike dhe më pas do të kemi një vendim. Por, unë jam pesimist me mundësinë e rikuperimit të lëndimit të tij”, ka thënë Challendes.

Më tej, duke folur për lëndimet, trajneri tha se edhe lojtarët Idriz Voca dhe Hekuran Kryeziu do të mungojnë, pasi njëri ka thyer hundën dhe tjetri ka lënduar ligamentet. Megjithë këtë, Challendes theksoi se do të ndërtojmë një ekip sa më të mirë me lojtarët që kemi në dispozicion.

Siç tha ai, Kosova ka lojtarë të mjaftueshëm për tri ndeshjet e ardhshme, ndërsa pas ndeshjes me Maqedoninë e Veriut “do të marrim disa lojtarë nga U-21, qoftë për stërvitje apo edhe për ndeshje”.

Kosova luan në Shkup më 8 tetor ndaj Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të “play-off”-it për Kampionatin Evropian 2021. Më pas në kuadër të Ligës së Kombeve luan më 11 tetor në Prishtinë kundër Sllovenisë dhe 14 tetor në Athinë kundër Greqisë.