Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 6 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 416 numrin e të vdekurve nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 141 raste të reja janë diagnostikuar pozitive me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 11.686.
Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 494 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 44.927 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 219 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 7.562 raste, kurse numri i rasteve aktive 3.708.