Për pretendimet e japonezes, zhvarroset trupi i kampionit olimpik Süleymanoğlu

"Plotë 27 vite nuk ka bërë asgjë ndërsa sot për të marrë një pjesë të trashëgimisë së tij, do të hapet varri i Naim Süleymanoğlu-t", thotë avokati Aziz Demir

 Trupi i kampionit olimpik në peshëngritje, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, Naim Süleymanoğlu, me vendim të gjykatës do të bëhet zhvarrimi i trupit të tij për të marrë analizën e ADN-së, pasi është paraqitur një vajzë japoneze Sekai Mori, e cila pretendon se është vajza e Süleymanoğlu-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Përgatitjet për zhvarrosjen në varrezat Edirnekapi në Stamboll, ku është varrosur Süleymanoğlu, kanë përfunduar. Rreth varrit të Süleymanoğlu-t është vendosur një rrethojë e sigurisë. Pritet ardhja e gjyqtarit, pas së cilës do të hapet varri i Süleymanoğlu-t.

Hulya Aksakal, një nga avokatet e 27-vjeçares Sekai Mori, e cila pretendon të jetë vajza e Süleymanoğlu, theksoi se është nisur një proces për përcaktimin e atësisë dhe se zhvarrosja në këto raste është një proces normal.

Aksakal nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve se përse Mori ka pritur 27 vite dhe vdekjen e Süleymanoğlu-t për të filluar këtë proces, duke shtuar se mediave do t’u drejtohet pas përfundimit të procesit.

Avokati Aziz Demir, i cili përfaqëson familjen e Süleymanoğlu-t, vajzat e tij Esin dhe Sezin, shprehu keqardhje për të gjitha me të cilat sot përballet familja Süleymanoğlu.

“Vajza 27-vjeçare nga Japonia paraqitet dhe thotë: ‘Unë jam vajza e Naim Süleymanoğlu-t’. Si avokat që përfaqësoj vajzat e tij, këtë veprim e konsiderojmë si sulm mbi personalitetin e Naim Süleymanoğlu-t. Plotë 27 vite nuk ka bërë asgjë ndërsa sot për të marrë një pjesë të trashëgimisë së tij, do të hapet varri i Naim Süleymanoğlu-t. Vajzat e tij Esin dhe Sezin janë të pikëlluara për këtë fakt”, tha avokati Demir.

Kampioni i shumëfishtë turk, evropian, botëror dhe olimpik, peshëngritësi Naim Süleymanoğlu ndërroi jetë më 18 nëntor 2017 në Stamboll në moshën 50-vjeçare. Süleymanoğlu u nda nga jeta pak pas transplantit të mëlçisë.

Ai u bë shtatë herë kampion bote, gjashtë herë kampion evropian, duke vendosur rekorde të ndryshme botërore për 46 herë. Një nga peshëngritësit e radhë në histori (një nga katër), i cili arriti të ngre një peshë tre herë më të madhe sesa peshonte.

Për shkak të strukturës së tij fizike (vetëm 147 cm i gjatë) ai mori nofkën ‘Herkuli i xhepit’. Süleymanoğlu fitoi medalje të arta në Lojërat Olimpike në Seul 1998, Barcelonë 1992 dhe Atlanta në vitin 1996 dhe u emërua si sportisti më i suksesshëm turk i të gjitha kohërave dhe një nga peshëngritësit më të suksesshëm në këtë sport në botë. Autoritetet sportive e shpallën atë sportist të shekullit.