Konsumatorët gjermanë kanë hapur kuletat pas heqjes së masave të karantinës në Maj, duke rritur shitjet me pakicë në vend me një nivel rekord prej 13.9% nga muaji i kaluar. Rritja mujore ishte më e madhja që prej nisjes së regjistrimit të të dhënave në vitin 1994, sipas agjencisë Federale të Statistikave.
Të dhënat janë prova e fundit që ekonomia gjermane po rimëkëmbet nga pika më e ulët e pandemisë, pavarësisht se masat e distancimit social aplikohen ende dhe eventet e mëdha publike janë të ndaluara. Ekonomistët thonë se mund të rishikojnë vlerësimet ekonomike për vendin, pas këtij rezultati.
Sipas tyre, konsumatorët gjermanë kanë përfituar nga hapja e hershme e dyqaneve dhe kanë shpenzuar si kurrë më parë. Rimëkëmbja e shitjeve me pakicë u nxit nga një rritje e shitjeve në rrjet dhe me postë me 28.7% me bazë vjetore në Maj. Shitjet e ushqimeve në supermarkete u rritën me 4.9%, ndërsa shitjet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe të ndërtimit, u rritën me 8.6%, sipas Destatis. Megjithatë, jo të gjithë sektorët kanë përfituar, ndërkohë që tekstili, veshjet dhe këpucët, pësuan rënie me 22.6% nga e njëjta periudhë një vit më parë.