Një vit kohë do të jetë i mjaftueshëm për punën përgatitore, që më pas të nisin zyrtarisht negociatat
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi sot në aktivitetin “Hapat e radhës të Shqipërisë pas konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të BE. Pritshmëritë dhe detyrat e Shqipërisë”, se, “duke u nisur nga precedenti që BE-ja ka vendosur me Malin e Zi dhe Serbinë, e dinim që do të ishte një vendim me afat kohor”.
“Mendoj që një vit është një kohë e mjaftueshme për punën përgatitore si për ne dhe si për fqinjin tone”, tha Bushati.
Konkluzionet e Këshillit të BE, theksoi ministri Bushati, “thjesht pasqyrojnë evolucionin e përmbushjes së kritereve në këtë proces. 12 kriteret janë vendosur në momentin kur Shqipëria ka aplikuar për t’u bërë anëtare e BE. SPAK-u dhe Vetingu nuk kanë qenë ndonjëherë kusht për Shqipërinë. Shqipëria ka zgjedhur vetë për të pasur prani ndërkombëtare në procesin e vetingut”, raporton ATA.
“Tashmë konkluzionet e Këshillit të BE pasqyrojnë atë që ka thënë edhe Komisioni Europian. Sot askush se vë në pikëpyetje që procesi i vetingut ka nisur dhe tashmë duhet që të vijojë ky proces. Tashmë duhet konsolidimi i reformave në fushën e zbatimit të ligjit”, tha ministri Bushati.