Ka filluar procesi i prodhimit serik të tankut të peshës së mesme Kaplan MT, i cili është projektuar dhe zhvilluar në Turqi për të plotësuar nevojat e Indonezisë, ndërkohë që po zhvillohen bisedime edhe për mundësi të reja eksportimi.
Nail Kurt, drejtuesi i lartë i firmës turke FNSS, zhvilloi intervistë me Anadolu Agency (AA) në lidhje me programin e tankut Kaplan të zhvilluar së bashku me firmën shtetërore indoneziane të mbrojtjes PT Pindad për forcat tokësore të Indonezisë.
Duke rikujtuar se në ditën e fundit të vitit të kaluar u finalizua marrëveshja për prodhimin serik të 18 mjeteve, Kurt tha se tashmë ka filluar prodhimi serik i tankut. Ai njoftoi se deri në fund të vitit do të dorëzohet një prototip, ndërsa dorëzimi i porosisë së ngelur në masë të madhe do të përfundohet në vitin 2021.
“Pritshmëritë tona nga Indonezia është që projekti të vazhdojë me shpejtësinë e plotë. Në kuadër të punimeve buxhetore, ne presim që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të pranojmë porosi shtesë”, tha Kurt.
Sipas ti, tanku Kaplan është një prodhim për përdorime të shumta. Ai tha se tanku mund të përdoret si nga njësitë e mekanizuara, ashtu edhe ato tokësore dhe se edhe pse është më i lehtë sesa tanku i rëndë dhe me kosto më efikase, ai ka fuqi të goditjes thuajse të njëjtë me atë të tankut të rëndë.
Ai tha se tanku ka tërhequr vëmendjen e shumë shteteve me tiparet e tij.
“Përdorimi i tankut kryesor të betejave ka kosto të lartë të operimit”, theksoi Kurt.
“Tanku Kaplan ka forcë të lartë të godtjes, mbrojtje të blinduar dhe aftësi të lartë lëvizjeje dhe operative, por është prodhim me kosto relativisht të ulët të operimit. Prandaj, ai tërheq më shumë vëmendje”, shtoi ai.
Ai tha se një koncept i tillë ka ekzistuar para disa dekadash edhe në SHBA, por është hequr dorë, ndërsa tani ai po shqyrtohet sërish.
“Ne kemi menduar se ai mund të jetë një prodhim që mund t’i plotësojë nevojat jo vetëm për Indonezinë, por, kur të vijë koha, edhe për Turqinë dhe vendet mike dhe aleate”, tha Kurt.
“Prioritet ishte Indonezia. Ajo shpalosi përshkrimin dhe nevojat e saj dhe prodhimi u bë brenda këtyre kornizave. Kjo është qasje plotësisht e FNSS-së, ndërsa modifikimi mund të përshtatet sipas nevojave të çdo vendi. Andaj, duke u bazuar në këtë prodhim, janë vlerësuar menjëherë edhe nevojat e shumë vendeve. Shumë shtete po interesohen për këtë. Kjo ishte një befasi për ne”, shtoi Kurt.
Siç tha ai, projekti në të njëjtën kohë është edhe transfer teknologjik dhe në kuadër të tij, Indonezisë i është dhënë lisencë. Gjithashtu, sipas tij, partnerët do të kenë të drejtë fjale për sa u përket nevojave të vendeve të caktuara.
Ai njoftoi se aktualisht, Indonezia është aktive lidhur me marrëveshjet kryesore me shtetet e interesuara dhe po mbështet firmën turke.
“Në dy vende ka nevojë më të madhe. Me njërën prej tyre është arritur pranë fazës së marrjes së një vendimi. Janë bërë edhe provat. Nëse ndodh njëra prej tyre, ne do të shohim eksport të një prodhimi të zhvilluar bashkërisht nga dy vende mike drejt një vendi të tretë. Do të jetë shembull i mirë për Turqinë. Është e mundur që kjo të avancohet edhe me vendet e tjera mike”, tha për AA Nail Kurt, drejtuesi i lartë i firmës turke në industrinë e mbrojtjes.