Institucionet dhe organizatat e ndryshme nga Turqia vazhdojnë të ofrojnë ndihma dhe mbështetje për Shqipërinë në sektorë të ndryshëm, por edhe pas tërmetit që goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë ka dhuruar çanta dhe mjete të ndryshme shkollore për nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Mustafa Kemal Ataturk” në Njësinë Administrative Zall-Herr në Qarkun Tiranë, ndërsa në shpërndarjen e ndihmave ishte e pranishme edhe Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.
– “Ne do të jemi gjithmonë pranë Shqipërisë”
Në një deklaratë për AA, Ayşegül Erdal Yörük, foli rreth ndihmave dhe mbështetjes së institucioneve turke për këtë shkollë, por edhe pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Sot kemi ardhur këtu në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë, me ekipin që ka ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanizmit dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke. Më përpara ne kemi sponsorizuar dhe kemi ndihmuar në libra të cilët janë përkthyer nga gjuha turke në gjuhën shqipe në emër të ambasadës. Përveç shkollës Mustafa Kemal Ataturk në Zall-Herr, ne kemi sponsorizuar dhe fushën sportive të Shkollës Mustafa Kemal Ataturk që është në Sauk (Tiranë)”, tha ajo.
Ajo theksoi se me urdhër të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ekspertët turq do të bëjnë një kontroll të ndërtesës së shkollës për siguri pas tërmetit.
“Në momentin e parë që ka ndodhur tërmeti me urdhër dhe kërkesë të presidentit të Turqisë ne kemi ardhur këtu dhe kemi vazhduar punimet dhe kontributet tona. Ne do të jemi gjithmonë pranë dhe do të bëjmë çfarë është e mundur që kemi në dorë për sigurinë, jetën dhe ndihmën ndaj fëmijëve të Shqipërisë”, tha bashkëshortja e ambasadorit turk.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Mustafa Kemal Ataturk”, Liri Neziri, tha se e vlerëson shumë ndihmën e Gjysmëhënës së Kuqe Turke për nxënësit.
“E kam parë dhe e kam ndjekur shtetin turk në mbështetjen e tij shumë të madhe në të gjitha aspektet ndaj popullit shqiptar në momente shumë të vështira. Sot vlerësoj jashtëzakonisht pjesëmarrjen me një staf shumë të gjerë të ambasadës turke në shkollën tonë. Vlerësoj prezencën e zonjës së ambasadorit e cila ishte vetë në shpërndarjen e çantave. I jam shumë mirënjohëse shtetit turk, ambasadës, për vazhdimësinë e marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet shkollës dhe ambasadës turke”, theksoi Neziri për AA.
– “Populli turk gjithmonë do të jetë pranë popullit shqiptar”
Ndërsa përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Anil Kocabal, tha se pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri janë dhe do të vazhdojnë të jenë në terren.
“Deri tani kemi sjell gjashtë dërgesa të mëdha. Sot së bashku me ambasadën turke ne shpërndamë 200 çanta për fëmijët e Shkollës Mustafa Kemal Ataturk në Zall-Herr. Punimet tona do të vazhdojnë pa shkëputje. Populli turk gjithmonë do të jetë pranë popullit shqiptar”, theksoi Kocabal.
Ndërkohë, i pranishëm ishte edhe inxhinieri Tugrul Sezdirmez, i cili për AA tha se kanë ardhur në Shqipëri në emër të Ministrisë së Mjedisit dhe Urbanizmit, ku sipas tij, pas tërmetit, në fillim kanë ofruar mbështetjen e tyre në Durrës.
“Ne po shikojmë sigurinë e ndërtesave pas tërmetit, sesa janë të sigurta ndërtesat, nëse mund të banohet apo jo në këto ndërtesa dhe nëse janë të përshtatshme për të vazhduar arsimi ose jo. Së bashku me ekipin që ka ekspertë në këtë fushë qoftë në Tiranë apo në Durrës, dhe sot që jemi në Zall-Herr vazhdojmë ekspertizën për ndërtesat. Së bashku me të gjithë ekipin do të vazhdojë të jemi gjithmonë pranë popullit shqiptar”, tha Sezdirmez.
Kujtojmë se disa vite më parë, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar rikonstruksionin dhe ofruar pajisje të ndryshme për këtë shkollë.
Në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Mustafa Kemal Ataturk” në Qarkun e Tiranës, e cila është shkollë shtetërore që është hapur në vitin 1966, ndjekin procesin mësimor 639 nxënës nga cikli parashkollor deri në gjimnaz.