BE solidaritet me Shqipërinë, konferenca e donatorëve në mes të janarit, në Tiranë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka konfirmuar mbështetjen e Bashkimit Europian për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka konfirmuar mbështetjen e Bashkimit Europian për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Në një konferencë për mediat në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Von der Leyen bëri me dije se BE është solidarizuar menjëherë me popullin shqiptar për të përballuar pasojat e katastrofës natyrore, ndërsa lajmëroi se konferenca e donatorëve të BE do të mbahet në mes të janarit, në Tiranë, raporton EuroNews.

“Ishte shumë pozitiv fakti që ramë dakord për mbajtjen e një konference donatorësh në Tiranë në gjysmën e janarit të vitit që vjen. Ishte inkurajuese të shihje mbështetjen e menjëhershme të shteteve anëtare të be për të qenë në krah të popullit shqiptar, sidomos për të ndihmuar në rindërtimin e vendit, që do të jetë e nevojshme për jetën e tyre. Kjo do të kërkojë investime të vazhdueshme, por edhe një periudhë të gjatë kohe”, – tha Presidentja e KE.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca publikoi sot rezultatet e mbledhjes se Këshillit Europian të zhvilluar një ditë më parë.

“Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Shqipërinë. Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë të donatorëve ne Tirane”, – shkroi Soreca në Twitter.