Hashim Thaçi: Reçaku është pika kulminante e masakrave të Serbisë në Kosovë

"Heshtja dhe mosvizita e ndërkombëtarëve këtu për të hedhur nga një lule respekti për ata fëmijë, gra dhe pleq që janë vrarë në një formë a formën tjetër i ka hapur gojën dhe ka krijuar një amnisti dhe ka trimëruar Serbinë", theksoi Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak të Komunës së Shtimës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo vizitë është bërë në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe pak ditë pasi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq mohoi këtë masakër, duke e quajtur trillim.

Thaçi theksoi se Reçaku është pika kulminante e masakrave të Serbisë të kryera kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

“Serbia ka kryer rreth 400 masakra në Kosovë kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1 mijë e 300 fëmijë dhe aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 mijë gra, në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civil të vrarë. Ritheksoj, Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë”, theksoi Thaçi.

Thaçi tha që derisa ndërkombëtarët nuk vijnë të paktën për homazhe tek këto Komplekse Memoriale në Kosovë, kjo lloj amnistie i jep mundësinë Serbisë për të mohuar krimin e kryer.

“Këtu s’janë ndeshur dy grupe simpatizantësh sportive, por ka qenë një ushtri e udhëhequr dhe dirigjuar nga lidershipi i Serbisë që ka kryer këtë krim, këtë masakër kundër popullatës civile kundër njerëzve civil. E ritheksoj, edhe heshtja dhe mosvizita e ndërkombëtarëve këtu për të hedhur nga një lule respekti për ata fëmijë, gra dhe pleq që janë vrarë në një formë a formën tjetër i ka hapur gojën dhe ka krijuar një amnisti dhe ka trimëruar Serbinë për të pretenduar për të mohuar krimet e kryera në Kosovë”, tha Thaçi.

Thaçi shtoi se e “e ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet edhe madje duke i etiketuar dhe fyer të vrarët në Kosovë, apo anekënd ku janë kryer krimet, edhe në Bosnje edhe në Kroaci”, por duke pranuar përgjegjësinë dhe duke kërkuar falje.

Më 5 dhjetor Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq i cili akuzohej nën akuzat për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, i cili e kishte quajtur Masakrën e Reçakut (15 janar 1999) si trillim dhe shqiptarët terroristë.

Pas këtij vendimi të gjykatës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i ka dalë në mbrojtje Todosijeviq-it duke e ritheksuar edhe ai të njëjtën gjë, që kjo masakër është “krim i fabrikuar në Reçak”.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u masakruan 45 civilë nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe. Një ditë më vonë, ish-shefi i misionit të OSBE-së William Wallker ngjarjen e përshkroi si “masakër dhe krim kundër njerëzimit”.