Maturantët e pakënaqur me rezultatin në dy provimet e para, Gjuhë e huaj dhe Letërsi, kanë të drejtë të kërkojnë fletën e korrigjuar të testit.
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpallur dje një njoftim, ku bën me dije se maturantët që kontestojnë vlerësimin, mund të kërkojnë fotokopjen e testit me anë të një kërkese në shkollë brenda dy ditëve të fundit.
“Në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2018, çdo nxënës maturant/kandidat që kërkon fotokopjen e testeve të Maturës për provimet D1 dhe D3, duhet të paraqesë kërkesën në shkollë brenda datës 27.06.2018. DAR/ ZA mbledh kërkesat për fotokopje nga çdo shkollë dhe i dorëzon ato në QSHA brenda datës 28.06.2018”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, e cila bën me dije afatin e kërkesës, por jo datën se kur maturantët, tashmë kandidatë për në universitete, do të marrin përgjigje.
Por, rregullorja e Maturës Shtetërore njeh të drejtën e maturantëve për të kërkuar thjesht tezën e korrigjuar, por e bën të qartë që nuk do të ketë rivlerësim, ashtu si vitet e kaluara.
“Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Nuk ka rivlerësim të testit”, citohet në nenin 24 “Detyrat dhe të drejtat e maturantit/kandidatit. Arsyetimi i QSHAsë është i njëjtë. Kalimi në disa duar vlerësimi eliminon kategorikisht marzhin e gabimit.
Në bazë të rregullores, çdo fletë testi i nënshtrohet një korrigjimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Në fund të çdo dite vlerësimi, ata rakordojnë pikët që kanë dhënë për secilin. Në rastet kur ka mospërputhje, është një vlerësues i tretë që bën vlerësimin përfundimtar. Pikët për çdo kërkesë të testit pasqyrohen në tabelën përmbledhëse në faqen e parë të tij, nënshkruar nga të gjithë vlerësuesit.