Çekia në Euro 2020, Kosova s’ia merr dot festën!

Çekia në Euro 2020. Triumfi ndaj Kosovës me rezultatin 2-1 bën që populli çek të festojë. Golit të Nuhiut ju përgjigj Kral dy herë dhe Dardanët tani do të duhet të tentojnë Europianin nga Nations League. Sot Çekia e meritoi fitoren, pasi dominoi nga fillimi në fund.

PJESA E PARË – Çekia, si pritëse nga fillimi u hodh në sulm për të shënuar. Kosova nga ana tjetër tregohet e kujdesshme. Aventurat nuk pranohen dhe djemtë e Bernard Challandes presin momentin për të goditur me kundërsulm. Nuk është aspak e lehtë në fakt.

Vendasit dominojnë në 45 minuta, por rastet nuk i kanë të shumta. Mund të përmendet një i minutës së shtatë, kur Krmencic me kokë vuri në provë Muric. Shtatlarti i Kosovës ishte në lartësinë e duhur dhe së bashku me shokët e skuadrës e ruajtën portën të paprekur në pjesën e parë.

PJESA E DYTË – Challandes e nisi me zëvendësim, duke aktivizuar Halimin në vend të Rashkajt. Kosova pesë minuta nga fillimi i pjesës së dytë arriti të befasojë vendasit,teksa Nuhiu pas një krosimi të Hadërgjonajt ia doli të shënonte në portën e Çekisë. Festë e madhe, por vendasit nuk u dorëzuan.

Sulmet ishin të shumta dhe zgjidhaj do të vinte prej një goditjeje nga distanca, me Kral që befasoi Muric. 1-1 dhe më pas shtylla e traversa shpëtuan Kosovën në dy raste, por më pas i njëjti lojtar do të realizonte edhe golin e avantazhit. Feston Çekia, që deri në fund ruan epërsinë dhe siguron pjesëmarrjen në Euro 2020.