Nuk duhet të postoni shumë online nëse do të aplikoni për viza amerikane

Të huajt që mohojnë imperializmin amerikan dhe duan të relaksohen në plazhet e Majamit apo të luajnë poker në kazinotë në Las Vegas, do të duhet ta zbusin tonin e tyre në Twitter.

Të huajt që mohojnë imperializmin amerikan dhe duan të relaksohen në plazhet e Majamit apo të luajnë poker në kazinotë në Las Vegas, do të duhet ta zbusin tonin e tyre në Twitter.

Të huajt që po ashtu postojnë fotografi në Facebook nga një ditë e kaluar në Nju Jork, do të duhet ta fshehin entuziazmin, që të mos dyshohen se duan të qëndrojnë përgjithmonë në SHBA.

Arsyeja?

Departamenti amerikan i Shtetit kërkon tani nga aplikuesit për viza, që të japin edhe profilet e tyre në mediat sociale.

Rregullat, të cilat kanë hyrë në fuqi më 31 maj, nuk kërkojnë nga ta që të japin edhe fjalëkalimet në llogaritë e tyre.

Megjithatë, avokatët e migracionit thonë se kërkesat mund t’i ngufasin diskutimet e hapura në mediat sociale, duke bërë që migrantët ose vizitorët e mundshëm të jenë më të kujdesshëm në lidhje me atë që postojnë dhe me ata që mund të bëhen miq.

“Njerëzit do të kenë frikë të shprehin mendimin e tyre mbi politikat e Shteteve të Bashkuara”, thotë Andrei Romanenko, një avokat rus i migracionit, me bazë në San Francisko.

“Disa do të kenë frikë të bëjnë shokë që jetojnë në SHBA, sepse mund të mendojnë se një rrjet i gjerë miqsh në SHBA, do të bëhet tregues i qëllimit të migrimit”, thotë Romanenko.