Arrestohet Michel Platini

Ish presidenti i UEFA-s ka perfunduar ne pranga pasi mbi te rendojne akuzat per korrupsion dhe se ndikoi qe Boterori 2022 te organizohej ne Katar!

Michel Platini është vënë në pranga për korrupsion. Ish-Presidenti i Uefa, sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, është arrestuar për vendimin që Kupa e Botës 2022 të bëhej në Katar.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Francës u ndalua nga policia franceze mëngjesin e së martës në Nanterre, në perëndim të Parisit, si pjesë e një hetimi për korrupsion, mbi mënyrën sesi u dha e drejta për të mbajtur Botërorin 2022.

63-vjeçari ishte President i Uefa-s nga Janari i vitit 2007, kur zëvendësoi Lennart Johansson, deri kur u tërhoq nga ky post në vitin 2016, pasi u përjashtua nga futbollit për 6 vjet, periudhë e cila më pas u ul në 4 vjet, pasi e apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Platini ishte pjesë e Komitetit Organizativ të Kupës së Botës të FIFA-s në vitin 1998 dhe iu bashkua Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në vitin 2002, ku qëndroi derisa u përjashtua nga futbolli.