Tiranë hapet Panairi i Punës dhe Studimit, merr pjesë edhe Fondacioni Maarif

Ky panair ka për qëllim që të nxjerrë në pah ofertën e bizneseve dhe universiteteve rreth kërkesave për punë dhe studime për të gjithë të interesuarit

Në Tiranë ka filluar edicioni i dhjetë i Panairit të Punës dhe Studimit, ndërsa merr pjesë edhe Fondacioni Turk Maarif, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky panair që organizohet për disa ditë me radhë ka për qëllim që të nxjerrë në pah ofertën e bizneseve dhe universiteteve rreth kërkesave për punë dhe studime për të gjithë të interesuarit.

Fondacioni Turk Maarif prezanton ofertat e programeve të studimeve dhe të punësimit në Universitetin New York Tirana, ndërsa që ditën e parë panairi ka tërhequr interesin e vizitorëve.

I pranishëm në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se praktikat që ofrohen në Bashkinë e Tiranës janë me një pagë minimale, por ai shtoi se është një mënyrë për të siguruar disa të ardhura për studentët.

“Dua t’i ftoj të gjitha kompanitë që janë prezente këtu, duke qenë se karta e studentit ofron 44 shërbime publike, do të donim shumë që të na bashkoheshin. Bankat mund të na ofrojnë një diskaunt për llogaritë e studentëve apo kredit kartat e studentëve për shpenzimet bazë me një normë limiti të përcaktuar. Gjithashtu dhe kompanitë celulare që janë këtu mund të na ofrojnë një ofertë më të mirë për ata që janë studentë dhe qe paraqesin kartën e studentit”, u shpreh ai.

“Disa nga kompanitë që ofrojnë shërbime, qofshin ato restorante, librari, kancelari, pajisje elektronike mund të na ofrojnë një diskaunt”, tha më tej Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj, u bëri thirrje pjesëmarrësve në panair, që nëse disa nga ato shërbimet që ata ofrojnë t’i bashkohen kartës së studentit. “Si kompani private është në nderin tonë të jeni pjesë e kësaj lëvizjeje për ta bërë kartën e studentit sa më të pranueshme dhe të aksesueshme”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lorena Haxhiu, tha se në këtë panair ministria që ajo përfaqëson është një partner që nuk e ka kursyer mbështetjen, pasi sipas saj prioritet i Qeverisë së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet integrimi i studentëve në tregun e punës.

“Në kuadër të paktit për universitetin të rinjtë shqiptarë do të kenë sot më tepër mundësi për të praktikuar dhe provuar veten sa i takon praktikave mësimore ashtu dhe praktikave profesionale, duke nisur që nga patronazhimi i secilit prej institucioneve të arsimit të lartë publik në Shqipëri, nga ministritë e linjës, bazuar në profilin përkatës”, tha Haxhiu.

Panairi që organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucione të tjera, do të qëndrojë i hapur deri më 2 maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe për herë të parë në këtë edicion të dhjetë do të jenë pjesëmarrës universitete të njohura nga Evropa.

Në këtë panair përveç ekspozimeve të institucioneve dhe kompanive më të mëdha punëdhënësish dhe ato të edukimit kombëtar dhe ndërkombëtar, do të organizohen edhe aktivitete informuese dhe trajnuese.