Në Ulqin qëndroi për vizitë zyrtare Koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Enver Resuloğulları me bashkëpunëtorë. Ata u pritën nga kryetari i Komunës Loro Nrekiqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Koordinatori i TIKA-s, Enver Resuloğullari duke falënderuar në pritje tha se dokumentacioni i Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë në Ulqin ka përfunduar dhe se realizimi është përfshirë në planet e Agjencisë për vitin 2019-2020. Krahas këtyre projekteve TIKA si deri më tani, do të përkrahë dhe projekte të tjerë në komunën e Ulqinit. Kryetari i komunës vlerësoi bashkëpunimin që Ulqini ka me agjencinë turke TIKA dhe me Ambasadën e Turqisë. Ai nënvizoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shtoi që investitorët turq janë tejet të interesuar për të investuar në komunën e Ulqinit. Ai po ashtu falënderoi TIKA-n për fillimin e realizimit të këtyre projekteve dhe tha se komuna mbetet në dispozicion të përshpejtimit dhe realizimit sa më të shpejtë të këtyre projekteve. Falënderime Agjencisë TIKA i shprehu dhe Kryeimami i Bashkësisë Islame, Ali Efendi Bardhi. Në një deklaratë për Zërin e Turqisë z. Bardhi tha se lajmi për hyrjen në fazën përfundimtare të rikonstruksionit të Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë, është një lajm i gëzuar jo vetëm për Bashkësinë Islame, por edhe mbarë Ulqinin dhe Malin e ZI, sepse në vetvete ai bart vlera të çmuara, të cilat datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane.
Viti 2019 do të jetë viti, i cili më në fund do ti vërë vulën përfundimit të projektit të rikonstruksionit të Hamamit dhe Xhamisë së Namazgjasë, thotë z. Bardhi dhe shton se ky objekt pas rikonstruksionit do të shërbejë si vend për ekspozita dhe aktivitete të ndryshme për qytetarët e Ulqinit, shkruan TRT.
“Nga ne dhe nga TIKA është diskutuar shumë sa i përket funksionimit të mëtejshëm të Hamamit. Tani është e pamundur që ai objekt të shendohet në Hamam siç ka funksionuar dikur, por do të jetë në shërbim të aktiviteteve kulturore si: ekspozita, promovime librash apo ndonjë tjetër aktivitet të karakterit shoqëror-kulturor. Në këtë mënyrë do të funksionojë në të ardhmen pas përfundimit të punimeve, natyrisht. Pavarësisht që një pjesë është marrë nga ndërtimi i rrugës, kompleksi i hamamit do të shfrytëzohet për aktivitete që do të jenë në shërbim të gjithë qytetarëve të Ulqinit”, ka shtuar ai..