Aeroporti i Kukësit, me koncesion. Fituesi do të investojë 8 mln euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka shpallur fituesin për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH) është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme.

Një konsorcium mes dy shoqërive shqiptare, “Global Technical Mechanichs” dhe “Bami sh.p.k.”, do të marrin me koncesion për 35 vite Aeroportin e Kukësit.

Sipas Ministrisë, dy kompanitë shqipitare do të investojnë rreth 8 milionë euro për modernizimin e aeroportit dhe vënien e tij në punë. Në dokumentet e tenderit, për të plotësuar kriterin e eksperiencës, ky bashkim operatorësh ka paraqitur një marrëveshje me kompaninë holandeze “Nako”, e cila ka një eksperiencë të gjerë në fushën e administrimit dhe menaxhimit të aeroporteve në disa vende të botës.

Procedurat për dhënien me koncesion të Aeroportit të Kukësit nisën në korrik të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shpërblyer me bonus 8 për qind të pikëve, ofertën e pakërkuar të shoqërive “Kastrati” dhe “TMD Systems”.

Por, në tenderin që u zhvillua më 20 dhjetor, kompania e shpërblyer me bonus nuk u paraqit fare dhe e vetmja ofertë e mbërritur ishte ajo e shoqërive “Global Mechanichs” dhe “Bami shpk”.

Sipas projektit, kompania e shpallur fituese parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e Terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj..

Aeroporti do të ketë si qëllim të funksionojë për fluturimet me kosto të ulët, duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. Në studimin paraprak të fizibilitetit është vlerësuar se, përmes Aeroportit të Kukësit do të udhëtojnë mesatarisht 300 mijë pasagjerë në vit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur fazën e vlerësimit të ofertave dhe ka shpallur fituesin për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH) është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme.

Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.

Aeroporti i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës.

Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila u përball me fluksin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Pas pranimit të kësaj ideje, projekti i Aeroportit të Kukësit u zhvillua më tej me studime të përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (AAC) dhe arabëve. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të 15 shkurtit 2001, u miratua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit. Aeroporti i Kukësit u ndërtua nga kompania Al-kharafi që kishte përfaqësuesin e saj në Shqipëri.

Fillimi i ndërtimit të aeroportit filloi më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005. Pas përfundimit të ndërtimit, në 2016 u instaluan pajisjet e navigimit. Shuma totale e investimeve ishte afërsisht 20 milionë dollarë, duke përjashtuar pajisjet e navigacionit, të cilat ishin në marrëveshjen fillestare, por u financuan gjithashtu nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Më datë 7 Qershor 2006, Aeroporti i Kukësit u transferua nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DPAC).