Renditja e FIFA-s, Kosova vijon ngjitjen, Shqipëria nuk lëviz, Gjermania katastrofë

Shqipëria në vend-numëro, Kosova vendos rekord në renditjen e FIFA-s
FIFA ka publikuar renditjen e re të kombëtareve dhe për Shqipërinë nuk ka asnjë ndryshim. Kuqezinjtë vijojnë të qëndrojnë në vendin e 60-të. Ka ngjitje për Kosovën, që e mbylli në vendin e parë në grupin e saj në Nations League. Dardanët kanë ngjitur 6 shkallë në renditje dhe tashmë pozicionohen në vendin e 131-të në Botë.

KOMBËTARET E MËDHA – Belgjika ndodhet në vendin e parë në renditjen botërore të FIFA-s edhe për këtë muaj. Në dhjetë skuadrat e para ka ndryshuar pozicion Portugalia, që është ngjitur në vendin e gjashtë. Një pozicion poshtë tyre ka zbritur Uruguai, raporton sportekspres.

Podiumi plotësohet nga Franca dhe Brazili, që ruajnë pozicionet e tyre. Kroacia është poshtë tyre, në vendin e katërt. Argjentina ka ngjitur një shkallë dhe tani renditet në vendin e 11-të. Gjermania ka zbritur me dy pozicione në renditjen e FIFA-s dhe tashmë pozicionohet e 16-ta. Holanda është ngjitur e 15-të, kurse Suedia në vendin 14-të. Tre vende të ngjitura prej tyre. Edhe Italia është përmirësuar me një pozicion dhe tashmë është në vendin e 18-të.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, kombëtarja kuqezi e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

Ndërkohë, suksesi i madh i Kosovës, kapja e kreut të Grupit 3 (Liga D), në Ligën e Kombeve dhe shkuarja në “play-off” për këtë edicion, si dhe ngjitja një ligë më lart për edicionin e ardhshëm, është pasqyruar edhe në renditjen e FIFA-s. “Dardanët” kanë ngjitur 6 “shkallë” menjëherë, në krahasim me muajin e kaluar, duke vendosur një rekord në ekzistencën e tyre si kombëtare: vendi i 131-të.