Kukësi mposht Kamzës me dy autogola, Laçi fiton në fund ndaj kastriotit

Kukësi me “këmishë të bardhë”, Kamza për rekorde Guinness! Laçi fiton “in extremis” ndaj Kastriotit...

Kukësi ka marrë një fitore “të falur” ndaj Kamzës me rezultatin 0-2. Ekipi verilindor ka arritur të marrë maksimumin në këtë ndeshje duke koleksionuar 3 pikët e qetësisë, pasi vinte pas disa ndeshjesh pa fitore. Ekipi i Armando Cungut kishte shumë fat, pasi të dy golat u shënuan në pjesën e parë dhe ishin autogolë nga të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka.

Ishte një nga takimet më të çuditshëm në këtë kampionat, pasi të dy herët portieri Kirev u detyrua të nxirrte topin nga rrjeta pas autogolave të ekipit të tij. Në minutën e 30′, Çyrbja fut një top drejt zonës. Et’hemi godet me kokë dhe sfera ndalet në traversë, por topi kthehet në mbrojtje. Erlis Frashëri në tentativë për ta larguar e dërgoi topin në rrjetë për 0-1.

Si të mos mjaftonte goditja e parë, pas vetëm 3 minutash Kamza ndëshkon sërish veten. Reginaldo ul një top mjaft të mirë për Çyrbjen, ky i fundit kroson drejt zonës. Teqja në tentativë për ta larguar e dërgon vetë në rrjetë për 0-2. Portreti i ngrirë i trajnerit Ernest Gjoka tregon gjithçka për gjendjen psikologjike të ekipit të Kamzës.

Një moment që duhet evidentuar është dhe një rast shumë i diskutueshëm në minutën e 28′. Plaku me topin në këmbë kërkon një krosim drejt zonës. Cuculi me duart e hapura e pengon topin brenda zonës, por për gjyqtarin Indrit Myrtja gjithçka e rregullt. Në arë moment rezultati ishte 0-0.

Pjesa e dytë nuk ndryshoi shumë në lojën e skuadrave, pasi Kukësi u mbrojt mirë, ndërsa Kamza nuk arriti të gjente golin e nderit. Shiu i rrëmbyer rëndoi tapetin e stadiumit të Kamzës. Trajneri Ernest Gjoka e nis aventurën e tij te Kamza me një humbje të pafat kundër ish-ekipit të tij, ndërsa Cungu merr një fitore qetësie. Trajneri shkodran i gëzohet pikëve të marra, pavarësisht se skuadra e tij vinte me shumë mungesa në këtë sfidë duke patur vetëm 4 lojtarë në stol duke llogaritur dhe portierin Maloku brenda.

Pas kësaj fitoreje jashtë fushe, Kukësi mbetet në vendin e pestë me 25 pikë, një më pak se Laçi e Teuta. Ekipi i Kamzës mbetet 1 pikë më shumë se Kastriotit në vendin e parafundit. Java e ardhshme e gjen Kukësin në transfertën e vështirë ndaj Luftëtarit, ndërsa ekipi i Gjokës do të luajë kundër Laçit jashtë fushe.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14
E diel, më 25 nëntor, ora 14:00
Stadiumi “Kamza”, Kamzë

KAMZA 0-2 KUKËSI
Shënues: 
E. Frashëri 30′ (autogol), Teqja (autogol)

KAMZA: Kirev, Frashëri, Teqja, Beqiri, Idrizaj, Zisi (Mumajesi 59′), Arrabal, Mehmeti, Plaku, Fukui (Roloviç 69′), Martinena (Rezi 82′). Trajner: Ernest Gjoka. Të gatshëm: Bonani, Krasniqi, Peçi.
KUKËSI: Frashëri, Maliki, Qaqi, Krasniqi, Cuculi, Kordeiro, Ethemi, Shkodra, Dzaria, Çyrbja, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Shpehar, Limaj, Kalaja.
KARTONË TË VERDHË: Mehmeti 11′, Arrabal 18′, Teqja 20′
GJYQTARË: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Klajdi Kola.
DELEGAT: Besnik Çela; VËZHGUES: Plarent Kotherja.

RASTET

SHTYLLA E SHKODRËS | 70′ – Donjet Shkodra provon nga një goditje dënimi, por shtylla i mohon gëzimin e golit të parë sezonal.

GOLI I DYTË I KUKËSIT | 32’ – Pas harkimit të Çyrbes, këtë herë është Teqja që godet me kokë dhe shënon në portën e tij.

GOLI I PARË I KUKËSIT | 30’ – Ethemi godet me kokë, pas harkimit nga e djathta, topi përplaset në shtyllë dhe më pas shkon te Frashëri, i cili e shtyn topin në portën e tij.

PRETENDIMI I KAMZËS | 28’ – Plaku harko nga e djathta, por topi devijohet nga Cuculi. Protesta të shumta nga vendasit, por gjyqtari nuk akordon 11-metërsh, edhe pse është një rast mjaft i dyshimtë.

Vuajtje, por tre pikë për Laçin. Ka vendosur në minutat shtesë Redon Xhixha, i cili shënoi me kokë golin e fitores 2-1 për bardhezinjtë. Një ndeshje e luftuar shumë, me krutanët që rrezikuan dhe mund të kishin marrë pikë. Altiparmakovski shënoi i pari, Ymeraj barazoi. Në fund fitoi Laçi.

Në pjesën e parë Laçi kishte disi më shumë kontrollin e topit, por nuk kishte rrezikshmërinë e duhur. Shtubina në një rast edhe mund të kishte shënuar, por u tregua i pasaktë. Kastrioti ishte agresiv dhe kërkoi të befasonte me kundërzbritjet e bëra. Gjithsesi nuk pati asnjë gol në 45 minutat e para.

Krutanët e nisën pjesën e dytë vrullshëm dhe në tre momente rrezikuan me brazilianin Roxher. Pavarësisht se Kastrioti rrezikoi, ishte Laçi që arriti të shënonte i pari. Dragoi me kokë nisi një top për Xhixhën, ky i fundit shërbeu në zonë për Altiparmakovskin. Sulmuesi maqedonas u tregua i saktë dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Pesë minuta më pas ishte Emiljano Çela ai që iu afrua golit për Kastriotin. Selmani në momentin e fundit u bë shpëtimtar për skuadrën e tij. Gjithsesi nuk do të vononte goli. Shkodrani Ersil Ymeraj, pasi Roxher i uli një top, goditi fort dhe e dërgoi topin në trekëndësh. 1-1.

Laçi nuk u dorëzua deri në fund dhe falë këmbënguljes arriti të shënonte golin me vlerën e tre pikëve. Deliu nga e majta krosoi në zonë dhe Xhixha me kokë ia doli të mposhte portierin Kuka dhe të bënte që kurbinasit të festonin në fund.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 14
E diel, më 25 nëntor, ora 14:00
Stadiumi i Laçit, Laç

LAÇI 2-1 KASTRIOTI
Shënues: 
Altiparmakovski 61′, Xhixha 92’/ Ymeraj 70′

LAÇI: Selmani, Fangaj, Mersinaj, Gjoni, Dragoj (Deliu 77′), Lushkja, Jonuzi, Najdenov (Eler 46′), Shtubina (Prengaj 69′), Xhixha, Altiparmakovski. Trajner: Migen Memelli. Të gatshëm: HasanbelliBushi, Pjeshka, Smaçi.
KASTRIOTI: Kuka, Husein, Shehi (Bardhi 38′), Çela, Stijepoviç, Domgjoni, Ymeraj, Okebugu, Shehu, H. Marku, Roxher. Trajner: Stavri Nica. Të gatshëm: Puja, Atsina, Caca, T. Marku, Neziri.
KARTONË TË VERDHË: Prengaj 79′/Shehi 24, Shehu 43′
GJYQTARË: Klodian Shahini, Fatmir Lamaj, Rejdi Zajimi, Andi Koçi.
DELEGAT: Bujar Pregja; VËZHGUES: Kastriot Xhaferraj.

DIREKT

92′ – Redon Xhixha realizon me kokë për Laçin, pas një krosi të Deliut

70′ – Ymeraj provon me të majtën në hyrje të zonës së Laçit, duke shënuar golin e barazimit për Kastriotin.

 

61′  – Xhixha pason saktë nga e majta, duke gjetur Altiparmakovskin në qendër të zonës, i cili me mjaft qetësi devijon topin duke kaluar Laçin në avantazh.