Turqi-Libi, thellohet bashkëpunimi në çështjet e mbrojtjes, ushtrisë dhe sigurisë rajonale

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, mbërriti të hënën në Libi për një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të këtij vendi...
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, mbërriti të hënën në Libi për një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të këtij vendi.

Hulusi Akar u prit me ceremoni ushtarake në kryeqytetin Tripoli të Libisë.

Pas ceremonisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Mitiga” të Tripolit, ku të pranishëm ishin zv/ministri i Mbrojtjes së Libisë, Owhida Abdulla Najem, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Abdurrahman Omran el-Taweele, ambasadori i Turqisë në Tripoli, Ahmet Aydin Dogan, si dhe zyrtarë të tjerë; ministri Akar kaloi në selinë e Kryeministrisë.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar u takua në Kryeministri me kreun e Këshillit Presidencial të Libisë dhe njëherësh ministrin e Mbrojtjes, Fayez al-Sarraj, me të cilin kryesuan takimet ndërmjet delegacioneve.

Numri 1 i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë u takua gjithashtu me ministrin e Punëve të Brendshme të Libisë, Fatih Ali Bashagha dhe kreun e Këshillit të Lartë të Shtetit (HCS), Khalid al-Mishri.

Gjatë takimeve, u diskutua bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në çështjet e mbrojtjes, ushtrisë dhe sigurisë rajonale.

Kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, delegacioni turk që viziton Libinë përbehet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneralarmate Yasar Guler, kreu i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Serdar Çam, përfaqësuesi special i Turqisë për Libinë dhe njëherësh deputet i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) nga zona elektorale e Ankarasë, Emrullah Isler, si dhe këshilltari i kryetarit të AK Partisë, Yasin Aktay.