Maqedoni, formohet Trupi parlamentar për pajtim dhe integrim

Me kërkesë të grupit të ri të pavarur parlamentar të deputetëve të cilët kanë dalë nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, në Kuvendin e Maqedonisë sot u formua Trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim

Me kërkesë të grupit të ri të pavarur parlamentar të deputetëve të cilët kanë dalë nga grupi parlamentar i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot u formua Trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim, raporton Anadolu Agency (AA).

Themelimit të tij i parapriu një koordinim mes kryeparlamentarit Talat Xhaferi me nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike që nuk janë të organizuar në grupe politike, si pikë e vetme në rendin e ditës, si njëri nga kushtet e tetë deputetëve të opozitës në mënyrë që të votojnë për hapje të Kushtetutës ditë më parë.

Në deklaratën për mediat pas takimit, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se ky trup do të udhëhiqet nga dy bashkëkryesuese.

“U vendos që të udhëhiqet nga dy bashkëkryesuese, Frosina Remenski dhe deputetja që doli nga VMRO-DPMNE-ja, Emilija Aleksandrova, ndërsa numri i deputetëve të grupeve parlamentare mbetet të caktohet në mbledhjen e parë të grupit, ku do të vendosin se sa deputetë shtesë të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, të LSDM-së dhe grupeve parlamentare do të jenë pjesë e tij”, tha Xhaferi.

Mbledhjen që në fillim e braktisi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, i cili sqaroi se me këtë promovohet një amnisti për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, por Xhaferi tha se Rashidi lëshoi mbledhjen që në fillim pa u debatuar fare për nismën dhe për nevojën për themelimin e trupit ndërpartiak.

“Nuk mendoj se do të mbetet jashtë seancës meqë është paraparë në grupin ndërpartiak dhe është i mirëseardhur nëse vendos të kthehet, sepse nuk kishte një temë të përcaktuar si përmbajtje të debatit në komision”, sqaroi Xhaferi.

Ai komentoi edhe tempin e debatit të ndryshimeve kushtetuese të cilët të martën do të jenë pikë e seancës plenare, duke thënë se nuk pret ndonjë obstruksion të mundshëm nga pozita, sepse siç tha, secili nga katër amendamentet e propozuara kanë afat kohor prej tre ditësh brenda të cilit do të duhet të përmbyllet debati.